Trafikimi i emigrantëve, arrestohet pronari i një hoteli dhe një 23-vjeçar që shkaktoi kaos në rrugë

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 11:19
emigrantet 1280x720

Trafikimi i emigrantëve, arrestohet pronari i një hoteli dhe një 23-vjeçar që shkaktoi kaos në rrugë

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 11:19

Trafiku i qenieve njerëzore po shndërrohet në një shqetësim të përhershëm për forcat e rendit, dhe jo vetëm në afërsi të pikave kufitare.

Janë të shumtë emigrantët, kryesisht nga vende si Siria, Iraku dhe Afganistani, që tentojnë të kalojnë ilegalisht në vendin tonë, që shihet si një pikë transiti drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Edhe sot, Policia ka ndërhyrë në dy operacione të ndryshme në afërsi të Tiranës, ku si pasojë janë arrestuar dy shtetas shqiptarë, një është në kërkim, ndërkohë që janë proceduar penalisht edhe 198 emigrantë.

Në operacionin  e parë, i quajtur “Camouflage 9” është arrestuar pronari i një hoteli që ndodhet në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, 60-vjeçari Sabah Jemishta.

Sipas forcave të rendit, Jemishta, në bashkëpunim me menaxherin e hotelit, i cili  u procedua në gjendje të lirë, strehonte kundrejt shpërblimit monetar emigrantët në ambientet e hotelit të tij, dhe më pas siguronte transportin e tyre për në pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi.

Pronari i hotelit akuzohet tashmë për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në një operacion tjetër, që ende nuk dihet nëse është i lidhur me të parin, 23-vjeçari me precedentë Alfred Thepi, është akuzuar jo vetëm për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, por edhe për kundërshtim të forcave të policisë, pasi nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar në rrugën dytësore Vorë-Fushë Krujë.

Thepi madje ka tentuar të largohet me shpejtësi, duke shkaktuar kaos në trafik pasi përplasi një automjet të parkuar dhe një në lëvizje, ndërkohë që në bord kishte 4 emigrantë që nga Saranda po i transportonte në Shkodër.   

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.