Zhgënjen Kombëtarja, Izraeli na mund në shtëpi

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 22:47

Zhgënjen Kombëtarja, Izraeli na mund në shtëpi

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 22:47

Një tjetër rezultat zhgënjyes ka arritur Kombëtarja Shqiptare në ndeshjen e dytë të vlefshme për Nations League.

Kuqezinjtë e Rejas janë mundur me rezultatin 1-2 në shtëpi nga Izraeli, për të lënë sërish një shije të idhët te sportdashësit shqiptarë.

Ndonëse e nisën ndeshjen si më superiore, djemtë e Shqipërisë treguan lodhje minutë pas minute, duke lëshuar territor për miqtë.

Kombëtarja kaloi e para në avantazh me një penallti të fituar nga Balliu në fund të pjesës së parë e cila u shndërrua në gol nga Broja.

Pjesa e dytë solli një fytyrë krejt tjetër për kuqezinjtë, ndonëse kishin kontrollin e topit u gjetën të papërgatitur në golin e barazimit, i cili u shënua në minutën e 57 nga Solomon.

Reja tentoi të sjellë freski dhe grintë në lojë me ndryshimet, por asnjë gjë nuk ndryshoi. Në të 73-ën miqtë gjejnë dhe golin e dytë, duke sjellë heshtjen në Air Albania.

Tashmë pas dy ndeshjesh të luajtura për Nation League, Kombëtarja Shqiptare ka grumbulluar vetëm 1 pikë.