Goditet impianti kimik në Severodonetsk, luftime rrugë më rrugë mes Rusisë dhe Ukrainës

Përditësuar më: 12/6/2022, ora 10:37

Goditet impianti kimik në Severodonetsk, luftime rrugë më rrugë mes Rusisë dhe Ukrainës

Përditësuar më: 12/6/2022, ora 10:37

Lufta është ndezur në rajonin Donbas. Forcat ruse po shtyjnë gjithnjë e më shumë për të marrë kontrollin e qytetit strategjik Severodonjeck, ndërsa ushtria ukrainase vijon të rezistojë. Mes tyre ka luftime rrugë më rrugë. Zemra industriale e Ukrainës po digjet deri në themel. Severodonetsk ka qenë pika qendrore e pushtimit rus në lindje për javë të tëra… duket se ata po i afrohen gjithnjë e më shumë marrjes së kontrollit të qytetit.

Trupat ukrainase janë detyruar në një xhep gjithnjë e më të vogël, duke përfshirë fabrikën e madhe kimike Azot, ku janë strehuar qindra civilë. Sipas guvernatorit rajonal, një zjarr i madh shpërtheu si rezultat i bombardimeve të kompleksit. Sergei Haidai konfirmoi se rusët tani kontrollonin pjesën më të madhe të qytetit edhe pse situata, sipas tij, ishte “nën kontroll”.

Ditët e fundit, zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se po i mbarojnë municionet, ndërsa presin me dëshpërim furnizime të reja nga perëndimi. Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 800 civilë janë fshehur në strehimoret nëntokësore në uzinën Azot.

Tashmë një pjesë e tyre po largohen me shpejtësi nga fabrika në Severodonetsk, sipas asaj që raportojnë mediat ruse.

 Sakaq lajme jo të mira vijnë nga perëndimi për Kievin. Një zyrtar i Pentagonit amerikan thotë se Rusia mund të marrë kontrollin e të gjithë rajonit të Luhansk në Ukrainë në harkun kohor të pak javëve. Megjithatë rezistenca vijon, dhe Ukraina thotë se forcat e saj kanë rimarrë zona nga Rusia në rajonet juglindore të Kherson dhe Zaporizhzhia.