Scholz në Sofje, Gjermania nxit Bullgarinë të arrijë marrëveshje me RMV

Përditësuar më: 12/6/2022, ora 14:29

Scholz në Sofje, Gjermania nxit Bullgarinë të arrijë marrëveshje me RMV

Përditësuar më: 12/6/2022, ora 14:29

Turin ballkanik e përmbylli në Bullgari. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, inkurajoi qeverinë e Sofjes të vulosë një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për të zhbllokuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Berlini e ka shndërruar në prioritet të sajin çështjen e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Unionin me 27 vende anëtare.

“Marrëdhëniet mes vendeve nuk mund të rregullohen me detyrim. Ato duhet të ndërtohen së bashku nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga vendet fqinje. Kjo aplikohet, sigurisht, edhe për raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, natyrisht dhe për të gjithë Unionin. Gjëja më e mirë për tu bërë është të arrihet një marrëveshje dhe të gjendet një zgjidhje që funksionon për të gjithë. Bindja ime është se kur të ndodhë, në një kohë të shkurtër, të gjithë do të kenë harruar se çfarë problemesh kishim dhe do të funksionojë shumë mirë.”

Përgjigja që mori nga kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ishte kjo: “Bullgaria ka tre prioritete kryesore dhe Bashkimi Europian duhet të jetë pjesë e garancisë për to, për të ecur përpara. Së pari, të gjenden të gjitha opsionet, përmes procesit europian, për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonia e Veriut, për të mbrojtur të drejtat e bullgarëve atje. Gjithashtu, ne kemi qëndrimin tonë për një kornizë zyrtare: fqinjësi të mirë dhe një traktat bashkëpunimi.”

Kancelari gjerman vizitoi Sofjen si pjesë e një turneu dy ditor në rajon, përpara samitit të liderëve BE-Ballkani Perëndimor më 23 qershor. Ai u ndal më herët dhe në Shkup, ku theksoi se do të angazhohet për të zhbllokuar procesin e integrimit. Nga heqja e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut do të përfitonte dhe Shqipëria, pasi më në fund do të mundësohej caktimi i një date për hapjen e kapitujve të parë të aderimit në BE. Ndërkohë, në fillim të vizitës në Ballkan, Scholz u ndal në Prishtinë dhe Beograd, ku porositi palët të ulen në tryezën e negociatave për të gjetur një marrëveshje me njohje reciproke për normalizimin e raporteve.