U gjet i vdekur pranë kufirit me Greqinë, drejt zbardhjes identiteti

Përditësuar më: 12/6/2022, ora 22:22
piramida 1 1280x720

U gjet i vdekur pranë kufirit me Greqinë, drejt zbardhjes identiteti

Përditësuar më: 12/6/2022, ora 22:22

Ndoshta është drejt zbardhjes misteri rreth kufomës që u gjet dje nga dy barinj në fshatin Kreshovë të Kolonjës, pak metra nga kufiri me Greqinë, në afërsi të piramidës nr.4.

Sipas burimeve të A2 CNN, pranë trupit të dekompozuar janë gjetur një palë çelësa shtëpie dhe një telefon celular i llojit Nokia. Çelësat i përkasin shtetasit Sherif Mukaj, një 29-vjeçar që rezulton i zhdukur  prej 1 Nëntorit të vitit 2021.

Megjithatë për sa  kohë policia nuk ka një përgjigje përfundimtare të analizave të ADN-së nuk ka dalë me një njoftim zyrtar ku të bëjë me dije identitetin e kufomës së gjetur rrëzë Malit të Gramozit.

Sherif Mukaj, 29-vjeçari që rezulton i zhdukur  prej 1 Nëntorit të vitit 2021

Gjithsesi, disa muaj më parë babai dhe xhaxhai i Mukajt kishin denoncuar humbjen e të riut. Në denoncimin që bënë disa muaj më parë xhaxhi dhe babai nuk folën për konflikte të të riut apo ndonjë punë të dyshimtë të tij,  ndërkohë që para se të humbiste ai ka pasur një vlerë rreth 500 mijë lekë që ja kish dërguar i ati nga SHBA.

“Pothuajse një ditë po, një ditë jo kam folur me nipin, nuk ka patur shqetësimin më të vogël, thoshte që skam nevojë për asgjë. Në datën 5 i kam bërë 4 herë telefonatë, ka vajtur zilja dhe telefoni nuk është hapur. Prandaj duam sa më parë të zbardhen tabulatet. Prokurori të mos e lerë në heshtje. Shokët e nipit i kanë thirrur të gjithë në polici, thonë nuk dimë gjë. Ai s’është zog të fluturojë”, ishin deklaratat e atëhershme të dajës së tij, Arben Sinani.