Atentati ndaj Aleksandër Sadikajt, zbardhet dëshmia e mikut të tij në Polici

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 12:20

Atentati ndaj Aleksandër Sadikajt, zbardhet dëshmia e mikut të tij në Polici

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 12:20

Policia e Tiranës ka marrë në pyetje për më shumë se 10 orë një mik të Aleksandër Sadikajt, 27-vjeçarit të vrarë të shtunën e kaluar, pasi makina e tij u hodh në erë teksa po lëvizte në Tiranë.

Gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, raporton se miku i viktimës ka qenë përgjatë gjithë paradites me Sadikajn. Sipas tij, ai nuk ruhej nga ndonjë person dhe nuk e kishte parë mikun që të kishte konflikte apo të ishte kërcënuar më parë. Gjithçka sipas tij, ka qenë normale. Ata kanë qenë përgjatë gjithë mëngjesit bashkë dhe pasi ka zbritur nga automjeti, Sadikaj i është drejtuar shtëpisë në zonën e Saukut të Vjetër. Pasi ka dalë nga shtëpia dhe po lëvizte drejt Tiranës, makina e tij shpërtheu, duke i shkaktuar plagë të rënda, të cilat më pas i morën jetën.

Ndërkohë, hetuesit dyshojnë se lëvizjet e tij kontrolloheshin dhe në momentin që është konstatuar i vetëm, është aktivizuar edhe mekanizmi i eksplozivit.

Sipas Policisë, Sadikaj ka qenë person me precedentë penal. Në vitin 2019, në Sarandë, për motive të dobëta ka plagosur një person. Por deri tani, Policia po shkon drejt pistës së trafikut të drogës, pasi dyshohet se merrej me trafik të lëndëve narkotike, brenda dhe jashtë vendit.

Lënda shpërthyese ende nuk është përcaktuar nëse është tritol, por mendohet se ka qenë e vendosur në gomën e parë të makinës, nga ana e shoferit. Janë sekuestruar kamerat e shtëpisë, por deri në këto momente nuk është përcaktuar momenti se kur është vendosur lënda shpërthyese.