Finlanda dhe Suedia në NATO, Stoltenberg: Shqetësimet e Turqisë legjitime, të trajtohen seriozisht

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 11:40

Finlanda dhe Suedia në NATO, Stoltenberg: Shqetësimet e Turqisë legjitime, të trajtohen seriozisht

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 11:40

Shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia, lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO, janë legjitime. Këtë e tha vetë shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Finlandë, ditën e diel.

Në një konferencë për shtyp me presidentin Sauli Ninisto, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se ishte e rëndësishme të theksohej se asnjë tjetër aleat nuk kishte vuajtur sulmet terroriste më shumë se Turqia, prandaj, sipas tij, shqetësimet duhet të konsideroheshin seriozisht.

“Do të doja që kjo çështje të zgjidhej sa më shpejt të jetë e mundur dhe ndaj po punojmë fort me aleatin tonë Turqinë dhe gjithashtu Finlandën dhe Suedinë për të adresuar shqetësimet e Ankarasë. Këto janë shqetësime legjitime, kanë të bëjnë me terrorizmin, me eksportin e armëve dhe ne duhet të kuptojmë se asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka vuajtur më shumë sulme terroriste se Turqia”, tha Stoltenberg.

Vetoja e Turqisë i drejtohet kryesisht Suedisë, të cilën e akuzon për mbështetje të militantëve kurde dhe thotë se nuk do të lejojë hyrjen e vendit në NATO deri sa të ndryshojë politikat.

Finlanda sakaq, ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pjesë e aleancës nëse problemet e Stokholmit me Ankaranë, do të çonin në shtyrje të anëtarësimit të Suedisë. Këtë e bëri të qartë presidenti Ninisto, gjatë konferencës me Stoltenberg.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s muajin e kaluar, në kundërpërgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Përballë shqetësimeve të Turqisë, të dyja vendet kanë thënë se e dënojnë terrorizmin dhe se janë të hapura për dialog.