Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

I ka “mundur” gjithë të tjerët, Mbretëresha tani sfidon Mbretin Diell

Nga A2 CNN
13 Qershor 2022, 14:04 | Bota

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth II, ka arritur një tjetër rekord të pabesueshëm sa i përket sundimit të saj, pasi tashmë renditet si monarkja e dytë që ka qëndruar më gjatë në fron, në historinë e njerëzimit.

96-vjeçarja kaloi në renditje Mbretin e Tajlandës, Bhumibol Adulyadej, i cili sundoi për 70 vite e 126 ditë në periudhën 1946-2016. Në fillim të muajit, ajo la pas Princin Johan II të Lihtenshtajnit, i cili sundoi për 70 vite e 91 ditë, deri sa ndërroi jetë në shkurt të vitit 1929.

I vetmi monark që ka sunduar për më gjatë në histori, është Mbreti Luigji XIV i Francës - i njohur edhe si Mbreti Diell, i cili qëndroi në fron për 72 vite e 110 ditë, në periudhën 1643-1715. Ai u ngjit në fron në moshën 4-vjeçare, pasi babai i tij Luigji XII, ndërroi jetë.

Rekordi i Mbretëreshës u arrit teksa festoi Jubileun e Platintë, që zgjati katër ditë, me parada, festa në rrugë dhe shfaqje të tjera mondane e popullore.

Në shtator 2015, Elisabeth II u bë monarkja britanike që ka qëndruar më gjatë në fron, duke kaluar stër-stërgjyshen e saj, Mbretëreshën Victoria. Në mars 2020, ajo kaloi në renditje K'inich Janaab Pakal, i cili sundoi qytetin-shtet të fisit Maja për 68 vite, deri para se të vdiste në vitin 683 pas erës sonë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë