Komisioni për reformën zgjedhore, ekspertët: Duhet gjithëpërfshirje, jo marrëveshje mbi interesa elektorale

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 16:49

Komisioni për reformën zgjedhore, ekspertët: Duhet gjithëpërfshirje, jo marrëveshje mbi interesa elektorale

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 16:49

Me miratimin në Kuvend të ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore pritet t’i hapët rrugë një tjetër diskutimi politik. Në një intervistë për A2 CNN, analisti Afrim Krasniqi thekson se pjesë e diskutimeve duhet të bëhen edhe propozimet që vijnë nga aktorë të tjerë të shoqërisë.

“Nuk duhet një marrëveshje si ajo e vitit 2020 ku dolën me marrëveshje ku vetë ato e shkelën, por duhet një draft që konsultohet dhe reflekton opinionin e Venecias dhe vendimet e Gjykatës kushtetuese”, u shpreh Krasniqi.

Për ish-kryetaren e KQZ-së Lefterie Luzi pengesë për një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës përbën koha e shkurtër që i lihet komisioneve.

“Komisionet zgjedhore pranë parlamentit ngrihen në periudha kohe shumë të shkurtra që i referohet zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të ishte krijuar më herët”, thotë Luzi.

Në këndvështrimin e saj, diskutimet për reformën zgjedhore duhet të qëndrojnë larg interesave elektorale afatshkurtra.

“Nuk do ta lidhja komisionin e reformës zgjedhore me zgjedhjet. Do të doja që një herë e mirë të merrte kohën e vet dhe te zgjidhte të gjitha problematikat pa u penguar nga elementi kohë, që po me vijnë zgjedhjet dhe duhet ta mbyllim sa më shpejt”, shton ajo.

Vullnëti politik sipas Krasniqit është çelësi për realizmin e një reforme të thellë.

“Shqiptarët duan të dinë, a do vazhdojnë prapë me administrim partiak, a do të vazhdojmë të jemi i vetmi vend ku komisionerët militantë vendosin për votën a do vazhdojmë prapë me një sistem me dy parti që pamundëson konkurrentët e tretë”, thekson Krasniqi.

Komisioni për reformën zgjedhore me gjasë do të shtyhen për sesionin tjetër parlamentar pasi aktualisht ai ka afat deri më 10 gusht.