Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

“Mbase nga kritikat zgjohet edhe Nardi”. Rama ironizon DiCaprion për lumin Vjosa: Nuk u bë i gjallë për të mbështetur qeverinë

Nga A2 CNN
13 Qershor 2022, 11:51 | Aktualitet
“Mbase nga kritikat zgjohet edhe Nardi”. Rama ironizon DiCaprion

Puna për kthimin e Vjosës në Park Kombëtar po shkon drejt konkretizimit. Këtë të hënë, ministria e Turizmit nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me organizatën amerikane Patagonia, që synon ngritjen e grupeve në terren për hartimin e një plani që do të çojë në shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”.

Ndërsa premtoi angazhimin e Qeverisë për shndërrimin e gjithë zonës, kryeministri Rama u ndal dhe te një ndër aktivistët më të famshëm për mbrojtjen e Vjosës, aktorin Leonardo Di Caprio, ndaj të cilit nuk i kurseu ngacmimet.

“Më kanë shënuar diçka për Leo Di Caprion, por nuk po e them, sepse u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por jo për ta mbështetur qeverinë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditjet do t’i shkojnë në vesh, se mund ta kishim lavdëruar një orë dhe nuk do ta merrte vesh, mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi. Se aty ku të lavdërojnë me miliona njerëz, se të lavdëron edhe një tjetër nuk bëhet lajm. Por kur miliona të lavdërojnë dhe të thonë që të ka sharë njëri, atëherë ka të ngjarë që të zgjohet edhe Nardi”, tha Rama.

Brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes pritet të ngrihen grupet e punës që do të përcaktojnë saktësisht kufijtë e parkut, ndërsa Rama garantoi ndalimin e çdo aktiviteti që mund të cenojë lumin.

“Na thonë që Vjosa është lumi i fundit i egër i Europës, bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre. Kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër, por këta që e duan Vjosën të egër, duhet të keni parasysh që nuk mund të ndërtojmë një rezervat ku edhe njerëzit t’i egërsojmë për t’ia përshtatur kënaqësisë së tyre për një lum të egër në Europë, por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës. Vjosa është egërsira e fundit lumore që nuk do të hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura të sistemit energjetik të Europës. Të gjithë lumenjtë e tjerë janë bërë si ata qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji”, tha Rama.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani