Mrekullitë e lashta të gjetura në shkretëtirën arabe

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 12:57

Mrekullitë e lashta të gjetura në shkretëtirën arabe

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 12:57

Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë festuar 50-vjetorin e pavarësisë së tyre, por Abu Dhabi ka një të kaluar shekullore. Një nga emiratet më të mëdha, krenohet me një listë të madhe të zonave të mbrojtura nga UNESCO, të cilat tregojnë historinë e vjetër të popullsisë së këtij vendi, si dhe lidhjen e tyre me tokën dhe me detin.

Ndër më të famshmit, qyteti Al Ain është padyshim një muze i gjallë i beduinëve dhe i të kaluarës së tyre. I njohur edhe si “Qyteti i Kopshtit”, Al Ain dikur ishte një oazë e gjelbër dhe një rrugë kalimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Oman. Aty gjenden dhe disa nga thesaret kryesore arkeologjike dhe historike të Abu Dhabit.

Qasr Al Hosn

Pallati Hosn i shekullit të 18-të, ose Qasr al Hosn, u ndërtua fillimisht si një kullë e vetme vrojtimi, por pas shumë kohësh u bë selia e pushtetit, deri në fund të viteve 1960.

Sot, pallati mbetet një atraksion kyç jo vetëm për turistët, por edhe për banorët e Emirateve të Bashkuara, të cilët vijnë dhe ulen në kafenenë e pallatit për të shijuar vendin për të cilin kanë dëgjuar të flasin me kaq mall paraardhësit e tyre.

Al Ain Oasis

I pari nga vendet e UNESCO-s në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte Oaza Al Ain. Vendosur në zemër të vendit, oaza daton më shumë se 4000 vjet më parë dhe është dëshmi e një prej sistemeve të para të ujitjes të kohëve moderne.

Sistemi, i njohur si “falaj”, merrte ujin nga malet e afërta Hajar, nëpërmjet një sërë rrugësh të ngushta ujore të dukshme ende sot. Vizitorët mund të ndjekin shtigje ecjeje përmes zonës që mbulon mbi 1200 hektarë dhe përmban më shumë se 147 000 palma dhe 100 lloje hurmash.

Bidaa Bint Saud

Një thesar për adhuruesit e arkeologjisë konsiderohet Bidaa Bint Saud, një vend i lashtë që ndodhet 25 kilometra në veri të Al Ain. Zona dikur ishte vendbanimi i një komuniteti të madh fermerësh që shtriheshin deri në Emiratet veriore, dhe që shfrytëzonin rrjetin e sistemeve të ujitjes falaj. Aty gjendet një ndërtesë e rrallë e epokës së hekurit dhe varre 5000-vjeçare të epokës së bronzit.

Në këtë vend, gjendet dhe Gharn Bint Saud, një shkëmb 40 metra i lartë ku janë zbuluar artefakte të shumta si qeramika, kama, bizhuteri dhe maja shigjetash prej bronzi, që sot janë të ekspozuara në Muzeun Kombëtar Al Ain.

Parku Arkeologjik Hili

Parku daton nga epoka e bronzit (3200 p.e.s deri në 1300 p.e.s) dhe epoka e hekurit (1300 p.e.s deri në 300 p.e.s). Kjo zonë ka ruajtur dëshmi të jetës së lashtë së një popullatë që dikur banonte në shkretëtirat e zonës. Arkeologët kanë zbuluar fshatra, varre dhe infrastrukturë bujqësore, që nënkupton se jetesa në këto zona ka qenë mjaft e zhvilluar.

Varret e Jebel Hafit

Përveçse është maja më e lartë e Abu Dhabit, Jebel Hafit (mali Hafit) është gjithashtu shtëpia e rreth 500 varreve 5000-vjeçare që shënojnë fillimin e epokës së bronzit në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zbuluar për herë të parë përmes gërmimeve në vitin 1959, arkeologët gjetën enë qeramike dhe artefakte bakri në varret të llojit “igloo”.  

Kalaja Maqta

Kjo fortesë e vogël, por shumë e rëndësishme në portën e ishullit kryesor të Abu Dhabit, u ndërtua në fund të shekullit të 18-të, duke përdorur materiale bazë si gurë koralorë, shkëmbinj plazhi dhe rërë, në mënyrë që kulla e saj të ruante Abu Dhabi.

Kisha dhe Manastiri i ishullit Sir Baniyas

Të zbuluar në fillim të viteve 1990, kisha dhe manastiri është i vetmi vend i krishterë paraislamik i gjetur në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Para zbulimit të naftës, banorët e këtij vendbanimi përdornin detin si burim jetese. Ata mbanin gjithashtu bagëti, si dhe tregtonin mallra të ndryshme përmes Gjirit Arab dhe Oqeanin Indian. Ishulli Sir Baniyas është tani një rezervat i kafshëve të egra dhe shtëpia e një game të gjerë kafshësh të mbrojtura.