PS feston 31-vjetorin, Petro Koçi: Ka qenë parti më e vuajtur se PD, kjo gjë i ka bërë mirë  

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 21:06

PS feston 31-vjetorin, Petro Koçi: Ka qenë parti më e vuajtur se PD, kjo gjë i ka bërë mirë  

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 21:06

Partia Socialiste ka festuar përvjetorin e saj. Petro Koçi ka kaluar të gjithë etapat e Partisë Socialiste, duke mbajtur edhe poste të rëndësishme gjatë këtyre 31 viteve. Si e gjykon ai këtë rrugëtim?

“PS ka dëshmuar se është një parti që ka bërë për Shqipërinë, prandaj socialistët mund të jenë ballëlart, të gatshëm për sfida të reja”.

Koçi në A2 CNN kujton momentet e tij më të mira dhe më të vështira, ku përjetimi personal gërshetohet me atë të partisë.

“Momenti im më i bukur ishte kur bënë një mocion mosbesimi ku kam humbur për një votë, 51 me 50, kur isha sekretar organizativ. Ishte diçka që përtej humbjes dëshmonte demokraci brenda partisë. Ndërkohë që momenti më i vështirë ishte Kongresi i vitit ‘96, kur Nano ishte në burg dhe jo në burg dhe u duk sikur po burgosej edhe politikisht. Ishte një moment me shumë përplasje dhe debate, por edhe në atë moment PS diti të zgjedhë rrugën e duhur”, deklaroi ai.

Por momentet e vështira ka patur edhe me drejtimin e Ramës. “Kur u bënë zgjedhjet vendore dhe Rama kandidonte për bashkinë e Tiranës dhe ndodhi ajo që ndodhi me rinumërimin, pa dyshim edhe 21 janari”.

Koçi bën një paralelizëm me partinë tjetër historike të pluralizmit shqiptar. “Partia Socialiste është një parti e vuajtur në krahasim me PD, nga momenti që e ka ndjerë në kurriz vuajtjen, dh kjo i ka bërë mirë. Kur u shndërrua nga PPSH në PS ka vuajtur shumë, me shumë presion, ndërkohë që PD pa vuajtur erdhi  në pushtet, dhe në fakt nuk u bë kurrë parti politike, thjesht ishte një lëvizje që u privatizua në shërbim të një njeriu”.

Ai e shtjellon këtë koncept. “Kam parasysh procesin e transformimit, nga PPSH, por edhe vitet e pushtetit pas vitit 1997, por nuk harroj edhe qeverinë e Majkos, kur ndërkohë që ne po strehonim vëllezërit tanë kosovare kishim një opozitë që përditë dilte në demonstrate duke thënë se kjo është qeveri tradhtare dhe komuniste”, janë fjalët e deputetit socialist.