Rama: Ekspertizë e jashtme për tenderat, të jetë strukturë e pavarur

Publikuar më: 13/6/2022, ora 19:39

Rama: Ekspertizë e jashtme për tenderat, të jetë strukturë e pavarur

Publikuar më: 13/6/2022, ora 19:39

Në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, kryeministri Edi Rama evidentoi si problem tenderimet publike në vend, ndërsa hodhi idenë e përfshirjes së një ekspertize të jashtme në këtë proces për të shmangur korrupsionin. 

“Po përgatisim një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e madhe e këtij procesi, të kontraktimit përmes fondeve në tendera, për të përfshirë ekspertizë të jashtme dhe pse jo kompani ndërkombëtare, që administrata të bëjë administratën, tenderimin ta bëjnë struktura me një pavarësi dhe profesionalizëm, se problem nuk është vetëm korrupsioni, apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit për përfitim, por është edhe paaftësia për të ndërtuar procese profesionale”, tha Rama.

Si garant të barazisë para ligjit në luftën kundër korrupsionit, kryeministri mori drejtësinë e re: “Kush e mendonte se do të vinte dita vetëm pak vite më pas fillimit të Reformës në Drejtësi, që askush nuk do të ndihej i paprekshëm, anëtarë qeverie, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, do të merreshin në hetim dhe do akuzoheshin nga një prokurori e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar në misionin e saj për të bërë drejtësi”.

E pranishme në konferencë ishte dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila i kërkoi shqiptarëve që të marrin fatet e veta në dorë dhe të luftojnë vetë kundër korrupsionit: “Ne duam që Shqipëria të jetë përherë e më tepër një partner dhe jo një problem, ju duhet ta udhëhiqni luftën. Shpesh flasim për rolin e SHBA dhe dëgjoj “vetëm ju mund ta bëni”, por unë them që “ju duhet ta bëni”, SHBA si miqtë tuaj do të jenë me ju, në çdo hap të rrugës”. 

Amabsadorja Yuri Kim bëri thirrje për barazi përpara ligjit,duke kërkuar ndëshkim të njëjtë për të gjithë shkelësit dhe personat që kryejnë korrupsion.