Rusët duan të izolojnë Severodonetskun, AI: Rusia përdori bomba thërrmuese, Zelenski kërkon armë moderne

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 12:41

Rusët duan të izolojnë Severodonetskun, AI: Rusia përdori bomba thërrmuese, Zelenski kërkon armë moderne

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 12:41

Luftime të ashpra po zhvillohen për çdo metër të Severodonteskut. Kështu thotë presidenti Volodymyr Zelensky në videomesazhin e fundit, lidhur me situatën në rajonin lindor të Donbas.  

Edhe një herë ai u bëri thirrje liderëve botërorë t’i sigurojnë Ukrainës sisteme moderne të mbrojtjes raketore, duke thënë se që prej nisjes së fushatës së agresionit janë lëshuar më shumë se 2600 raketa Cruz.

Zelensky përmend sistemin antiajror Iron Dome të Izraelit dhe bateritë amerikane Patriot. Sipas presidentit ukrainas, Rusia po mobilizon forcat rezerviste në Donbas për të mbështetur ofensivën në qytetin kyç të Serverodonetsk. 

“Taktika e pushtuesve ka ndryshuar. Ata po shtojnë presionin në Serverodonetsk dhe luftimet atje po zhvillohen në çdo metër. Nën sulm janë edhe qytezat e Lisicansk, Bakhmut dhe Slloviansk. Ushtria po përpiqet të mobilizojë forcat rezerviste në Donbas. Por çfarë rezervash kanë ata tani. Duket se do të hedhin në betejë rekurutë të pa trajnuar”, tha Zelensky.

Forcat ruse shkatërruan një urë të dytë që lidhte qytetet e Severodonetsk dhe Lisicanksun, duke pamundësuar kështu evakuimin e shumë civilëve përgjatë kësaj trajektoreje.

Guvernatori rajonal, Serhi Haidai, thotë se Moska po bombardon edhe një urë të tretë në përpjekjen për të izoluar plotësisht Severodonetskun. Sipas tij, 70 për qind e qytetit është në duart e pushtuesve. Rebelët pro rusë thonë se ukrainasit kanë dy zgjidhje në qytetin strategjik; të dorëzohen ose të vdesin.

Një zjarr i madh i shkaktuar nga bombardimet ruse ka përfshirë një impiant kimik të azotit në Severodonetsk, ku janë strehuar rreth 500 civilë.

Sipas një raporti të Amnisty International, Rusia ka vrarë qindra civilë në qytetin verilindor të Harkivit, duke përdorur municione të ndaluara, si bombat thërrmuese. Organizata pretendon se ka gjetur prova të përdorimit të këtyre armëve në disa zona të qytetit.