Vals mes rrënojave, festa simbolike e maturës në Kharkiv

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 16:00
MATURANTET KHARKIV frame 998 1280x720

Vals mes rrënojave, festa simbolike e maturës në Kharkiv

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 16:00

Vals nën sfondin e shkollës së gjymtuar nga bombat. Nuk është festa që kishin imagjinuar, por pavarësisht luftës, këta të rinj nuk hoqën dorë nga planet për të shënuar, sipas zakonit, mbrëmjen e maturës.

Janë nxënësit e shkollës 134 në qytetin e shkatërruar nga lufta e Kharkivit, të cilët janë rikthyer në godinën ku dikur thurnin të pashqetësuar planet për të ardhmen.

Të shoqëruar nga ushtarët e njësisë Kraker, që morën pjesë në luftimet e zhvilluara pranë shkollës, të rinjtë më veshje bardhë e zi kërcyen një vals tradicional në një mbrëmje simbolike mature. Kostyantyn Nemichev, një pjesëtar i njësisë ushtarake tha se shkolla kishte qenë bastioni i fundit i forcave pushtuese para se të sprapseshin nga qyteti. Anna Episheva, publikoi në Facebook një foto të mbesës Valeri, e veshur me fustan të kuq mbrëmjeje, teksa pozonte në rrënojat e shkollës.

“Mbesa ime duhej të diplomohej këtë vit. Ajo dhe shoqet e saj kishin planfikuar një festë, blenë fustanet dhe prisnin me padurim ditën e madh. Pastaj erdhën rusët”, shkruan Episheva në rrjetin social.

Kharkiv është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë dhe u vu në shënjestër të bombardimeve të ashpra gjatë muajve shkurt dhe prill. Edhe pse trupat ruse janë tërhequr nga zona, sulmet ajrore vijojnë. Një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm rus, më 7 qershor.