Zgjedhjet parlamentare në Francë, Macron fiton, por rrezikon të humbasë shumicën

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 11:31

Zgjedhjet parlamentare në Francë, Macron fiton, por rrezikon të humbasë shumicën

Përditësuar më: 13/6/2022, ora 11:31

Aleanca e qendrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, fitoi me diferencë të ngushtë raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të së dielës, por rrezikon të humbasë shumicën në parlament.

Duhet pritur 7 ditë të tjera, kur mbahet raundi i dytë, për të mësuar nëse Macron do të ruajë shumicën absolute. Koalicioni i tij Ensamble siguroi 25.75 për qind të votave, vetëm 0.09 përqind më shumë se aleanca e majtë, e kryesuar nga Jean-Luc Melenchon.

Veterani i së majtës, Melenchone, i cili shënoi rritje të mbështetjeve në zgjedhjet e së dielës, tha se partia e Macron ishte mundur. 

“E vërteta është se partia presidenciale, mbi bazë të rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve është mundur keq”, u shpreh ai.

Kryeministrja Elisabeth Borne, e cila foli në emër të aleancës qeveritare pas zgjedhjeve, u kërkoi votuesve t’i jepnin presidentit Macron një mandat të qartë dhe të fortë në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare.

“Kemi një javë kohë për të bashkuar forcat, një javë për të fituar një shumicë të fortë dhe të qartë. Vetëm një shumicë e tillë do të na mundësojë t’i përgjigjemi çështjeve urgjente me të cilat përballen francezët dhe sfidave të së ardhmes”, tha Borne.

Sipas parashikimeve të Ipsos, aleanca e qendrës së presidentit Macron, do të fitojë numrin më të lartë të 577 vendeve në parlament, nga 255 deri në 295 vende. Kjo sugjeron se ka mundësi që të mos e sigurojë shumicën absolute prej 289 vendesh, e nevojshme për të kaluar projektligjet.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e ulëta në historinë moderne të Francës, prej rreth 47 për qind. Francezët janë të zhgënjyer dhe zemëruar me klasën politike në vend, e shumë prej tyre preferuan të shijonin motin e ngrohtë e me diell, në vend që t’i drejtoheshin qendrave të votimit.