Punë private në spital shtetëror, edhe socialistë kritikojnë nismën e qeverisë, por e miratojnë

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 15:37

Punë private në spital shtetëror, edhe socialistë kritikojnë nismën e qeverisë, por e miratojnë

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 15:37

Qasja e qeverisë për t’i dhënë të drejtë mjekëve që të punojnë edhe privatisht në ambientet e spitaleve publike hasi në kritika edhe nga vetë socialistët. Pandeli Majko kërkoi në komisionin parlamentar për çështjet ligjore që nisma të detajohet në mënyrë që bluzat e bardha të kenë fokus orarin publik e jo atë privat.

Nisma e re e qeverisë për të ndryshuar shërbimin spitalor në vend hasi në kundërshti, jo vetëm nga opozita. Ajo që shqetësoi deputetët e mazhorancës në këtë ligj ishte neni që i lejon mjekëve të ushtrojnë veprimtari private në spitalin publik, pas orarit të punës. Veterani socialist, Pandeli Majko, kërkoi që nisma të detajohet më shumë për të shmangur abuzimet nga bluzat e bardha me tetëorarëshin zyrtar. 

“Keni parasysh që ky tetëorëshi i punës mund të jetë me një presion të madh për të bërë një punë private pas 8-orëshit dhe kërkon një rregullim që të kemi mjek që të punojnë full time në atë 8-orëshin dhe më pas t’i përkushtohet atij 8-orëshit tjetër për punë private”, tha Majko.

Përballë opozitës që e cilëson sistemin shëndetësor në kolaps, mazhoranca u përgjigj duke krahasuar situatën me vitin 2013, kur u ndryshuan pushtetet. 

“Përtej funksionit politik, ju jeni edhe profesioniste. Dhe në fakt është gabim të filloni me ato matjet, jo në 2013. Znj. Bardeli tha për 2022, po këtu ka qenë edhe në 2021, keq, tmerr”, u shpreh Bylykbashi.

“Kur bëja roje, mbaja ampulë diazepami në xhep që shkoja e blija në farmaci sepse nuk e kisha”, tha Rakacolli.

“Sot, në dy shërbime të shtetit vlen ajo shprehja e Dantes, lëri pas të gjitha shpresat kur hyn këtu, është spitali dhe gjykata”, tha Bylykbashi.

Optimizmi filozofik i Pandeli Majkos erdhi si vijë e mesme mes qeverisë dhe opozitës.

“Por mos hajdeni të na paraqiteni sikur është një situatë e mirë, së është skandaloze”, shtoi  Bylykbashi.

“Në Shqipëri gjërat, do të bëhen. Problemi shtrohet me çfarë kostoje, qeveri e mirë, kosto më e ulët, qeverie e keqe kosto më e lartë, por do të bëhet”, tha Majko.

Pavarësisht kritikave, në finale, socialistët i dhanë votat për ta miratuar, përfshirë Pandeli Majkon.