Që nga nisja e luftës, Rusia ka fituar 100 miliardë dollarë nga shitja e naftës dhe gazit

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 12:43
hypatia h 436a478db6831ac8f18b41d342d98745 h 392cae8e5dd202a859faf00dff485b98 1082x720

Që nga nisja e luftës, Rusia ka fituar 100 miliardë dollarë nga shitja e naftës dhe gazit

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 12:43

Rusia ka arkëtuar rreth 100 miliardë dollarë nga eksportet e naftës dhe gazit, gjatë 100 ditëve të para të luftës në Ukrainë.

Qendra për Kërkime për Energji dhe Ajër të Pastër (CREA), thotë se fitimet e Rusisë kanë rënë që prej muajit mars, por përsëri mbeten të larta, për periudhën 24 shkurt-3 qershor.

Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë mes shteteve të zotuara për embargo ndaj importit të naftës ruse. Por BE-ja mbetet blerësi kryesor i Rusisë, pasi ka marrë 61% të këtyre importeve, duke paguar afërsisht 59 miliardë dollarë.

Sipas raportit, Rusia arkëton rreth 1 miliard dollarë në ditë nga shitja e naftës dhe gazit, që prej muajit mars. Ndërkohë që vlerësohet se shpenzon rreth 876 milionë dollarë në ditë në atë që quan operacion special ushtarak në Ukrainë.

Bashkimi Europian planifikon që të ndërpresë plotësisht importin e naftës ruse nga deti, deri në fund të vitit 2022, çka do të ulte me 2/3-tat sasinë totale të importuar. Në mars, vendet e unionit u zotuan që të ulnin me të njëjtën sasi edhe importimin e gazit rus. Edhe Mbretëria e Bashkuar është zotuar të heqë plotësisht dorë nga nafta ruse deri në fund të vitit, ndërsa SHBA-ja ka vendosur embargo totale ndaj naftës, gazit dhe qymyrit rus.