Raportet për Kosovën e Serbinë, PE: Dialogu mes dy vendeve të mbyllet me njohje reciproke

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 13:40

Raportet për Kosovën e Serbinë, PE: Dialogu mes dy vendeve të mbyllet me njohje reciproke

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 13:40

Për herë të parë, Parlamenti Europian thotë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke. Kërkesa përfshihet në raportin për Serbinë të miratuar nga Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin Europian, bashkë me atë të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Autori i raportit për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili vjen nga Sllovakia, u tha gazetarëve se nuk ishte i kënaqur që shprehja “njohje reciproke” është përfshirë në tekstin e ndryshuar të raportit.

“Shumica e qeverive e njohin Kosovën dhe ka qenë vendim politik i shumicës politike që ta përfshijë këtë në tekst. Po, çështja e njohjes reciproke është në tekst, por njohja nuk është në dorën e Parlamentit dhe këtë duhet ta kuptojë publiku serb”, tha Vladimir Bilçik, Raportues i PE për Serbinë.

Ai ritheksoi se çështja e njohjes së Kosovës është privilegj dhe e drejtë ekskluzive e qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe se në këtë moment nuk sheh ndonjë përparim drejt njohjeve të mundshme.  

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë.

Sakaq në raportin për Kosovën, PE i bën thirrje Këshillit Europian të marrë urgjentisht vendimin për liberalizimin e vizave.

“Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin që në vitin 2018, por ende nuk është miratuar vendimi për lirinë e lëvizjes”, thuhet në raportin e prezantuar nga Viola Von Cramon.

Në raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, aspiratat e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e po ashtu edhe thirrja për 5 vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.