Reforma territoriale, Balla: Qarqet për mua e kanë humbur peshën e tyre. Edhe 61 bashki janë shumë

Publikuar më: 14/6/2022, ora 11:45

Reforma territoriale, Balla: Qarqet për mua e kanë humbur peshën e tyre. Edhe 61 bashki janë shumë

Publikuar më: 14/6/2022, ora 11:45

Të mërkurën në mesditë do të nisë punë komisioni parlamentar për reformën territoriale. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se të gjitha palët në këtë komision nuk duhet të shohin veten si pjesë të partive, por si pjesë e të zgjedhurve, në mënyrë që të dilet në përfundime në dobi të qytetarëve.

“Jemi 8 vite pas miratimit të reformës territoriale, ka qenë një prej më të rëndësishmeve. Besoj që këto 7 vite pas implementimit të parë ka konfirmuar përmirësim të shërbimeve publike në dobi të qytetarëve. A ka vend për të përmirësuar? Besoj se kryeministri Edi Rama ka qenë shumë i qartë në kërkesën për llogaridhënie të kryetarëve të bashkive dhe unë i bashkohem këtij apeli. Vlerësimi im është që qarqet e kanë humbur peshën e tyre, duhet të gjejmë një mënyrë sesi të shkojmë drejt një organizimi më funksional rajonal. Fakti është që qeveria ka ecur përpara me nivelin e organizimit rajonal”, tha Balla.

I pyetur mbi pretendimet e opozitës për më tepër bashki, sesa 61 që janë aktualisht, Balla tha: “PD-ja nuk është e kënaqur nga çdo gjë në këtë vend. Nuk jemi për të kënaqur dëshirat e partive, por pritshmëritë e qytetarëve, të cilët duan shërbime më të mira. Komisionit do t’i sugjeroja që të mbledhë vlerësime që vijnë direkt nga qytetarët për sesi mund të përmirësohen shërbimet. Për mua, si qytetar i thjeshtë, edhe 61 bashki janë shumë. Por ky është vlerësimi im personal”.