Schallenberg në Kosovë, Rusia kërcënim, BE të zbllokojë negociatat dhe liberalizimin

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 16:10

Schallenberg në Kosovë, Rusia kërcënim, BE të zbllokojë negociatat dhe liberalizimin

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 16:10

Bashkimi Europian duhet të çelë sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të liberalizojë vizat për Kosovën. Këtë e tha ministri për punët e Jashtme në Austri, Alexander Schallenberg, gjatë një vizite në Prishtinë. Teksa paralajmëroi ndaj rrezikut për destabilizim të rajonit nga Rusia, diplomati austriak tha se është me e rëndësishme se kurrë që Brukseli të mbajë premtimet e dhëna për vendet e Ballkanit Perëndimor. Schallenberg foli pas një takimi me homologen Donika Gërvalla në Kosovë.

“Duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të destabilizojë rajonin. Vetëm me një lëvizje, ata mund të krijojnë shqetësime dhe kjo bën që të aktivizohen zilet e alarmit. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar Bashkimin Evropian, për të trajtuar synimin e anëtarësimit të rajonit në BE. Kjo gjë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se tani, dhe premtimi që është dhënë para 19 viteve në Selanik, duhet të zbatohet, pra të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të liberalizohen vizat për Kosovën”, tha Schallenberg.

Diplomati austriak foli gjithashtu për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke kërkuar që të mbyllet me njohje reciproke. Ministrja e Jashtme e Kosovës tha se dialogu do të kishte përfunduar më shpejt nëse nuk do të bllokohej nga Serbia. Ajo po ashtu theksoi se nevojiten veprime konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Austria dhe Kosova ndajnë qëndrimin që koha e të folurit rreth integrimit në BE, duhet zëvendësuar me veprime konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Andaj në një fazë të tillë historike, të riorientimit të arkitekturës gjeopolitike evropiane të sigurisë, duhen ndërmarrë hapat e nevojshëm për të evituar gabimet që mund të ndodhin nëse nuk veprojmë, por hezitojmë. Me homologun, Schallenberg folëm edhe për dialogun që Republika e Kosovës po e zhvillon me Serbinë rreth njohjes së ndërsjellë. Duke vënë në pah edhe propozimet tona shumë konkrete, nënvizova gatishmërinë dhe seriozitetin tonë në këtë proces i cili do të mund të përfundonte shumë shpejt nëse Serbia do të hiqte dorë nga pozicioni i saj për bllokimin e procesit”, tha Gërvalla.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Schallenberg paralajmëroi se do të shtrojë çështjen e liberalizimit të vizave në samitin e radhës mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 23 qershor.