Bashkësia Politike Europiane, Franca: Nuk është alternativë e zgjerimit të BE

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 14:40

Bashkësia Politike Europiane, Franca: Nuk është alternativë e zgjerimit të BE

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 14:40

Vetëm dy ditë para se Komisioni Europian të publikojë mendimin për t’u dhënë ose jo statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, në Bashkimin Europian po diskutohet edhe për planin e Francës për krijimin e një Bashkësie Politike Europiane.

Franca u ka  dorëzuar shteteve anëtare një dokument joformal, I parë nga “Radio Europa e Lirë”, I cili prezantohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së. Dokumenti lidhur me Bashkësinë Politike Europiane është dërguar në prag të një takimi të liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Bruksel javën e ardhshme, më saktësisht më 23 qershor.

Politika e zgjerimit, për shkak të kërkesave për reforma të domosdoshme që duhet plotësuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, dhe kohëzgjatja që pason për shkak të kësaj, nuk ofron sot kornizë të nevojshme politike për t’u përgjigjur ndaj nevojave historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta më Ukrainë. Prandaj ne propozojmë që këtë vit të krijohet Bashkësia Politike Europiane mes të gjitha vendeve të kontinentit që dëshirojnë së bashku të kontribuojnë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë.

Dokumenti i Francës

Me “non-paper”-in për shtetet anëtare, Franca përpiqet të heshtë zërat që kanë tërhequr vërejtjen se kjo ide mund të ketë si qëllim që ta dëmtojë procesin e zgjerimit duke krijuar alternativë.

Bashkësia Politike Europiane nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të zwvendwsojw procesin e zgjerimit. Për shtetet europiane që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Europian do të jetë, për më tepër, mundësi për forcimin e lidhjeve me vendet e BE-së para se të bëhen anëtare, si në aspektin politik, ashtu edhe në pjesëmarrjen në disa politika të BE-së, dhe, aty ku është e duhur, të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së.

Dokumenti i Francës

Sipas planit të Francës, Bashkësia Politike Europiane do ta kishte një formë të “strukturës së lehtë ligjore”, me kapacitetet të marrjes së vendimeve, duke respektuar autonominë vendimmarrëse të Bashkimit Europian dhe secilit vend anëtarë që përbën bashkësinë. Takimet në kuadër të Bashkësisë Politike Europiane do të zhvilloheshin disa herë në vit, në nivele të shefave të shteteve apo të ministrave.