“Gjyqësori në përkeqësim”, Llagami: Shtohen çështjet e mbartura, harta e re zgjidhje momentale

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 16:27

“Gjyqësori në përkeqësim”, Llagami: Shtohen çështjet e mbartura, harta e re zgjidhje momentale

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 16:27

Situata në sistemin gjyqësor përkeqësohet nga viti në vit në shtimin e çështjeve të mbaruara. Pohimi vjen nga Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami që deklaroi në Komisionin e Ligjvënësve shkak i shtimit të vonesave në sistemin gjyqësor është numri i ulët i gjyqtarëve. Si zgjidhje të kësaj situate është menduar harta e re gjyqësore, gjë e cila u kundërshtua nga opozita.

Marrja e drejtësisë përballë padrejtësive po bëhet gjithmonë e më e vështirë për qytetarët. Këtë konstatim e bën vetë Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami e cila deklaroi në komisionin e ligjeve se numri i çështjeve të mbartura është shtuar, gjë që sjell vonesa në dhënien e vendimeve nga gjykata. Në këto kushte, harta e re gjyqësore konsiderohet prej saj si e vetmja zgjidhje, ndonëse e përkohshme.

“Kemi 23 gjyqtarë që janë sot në gjithë apelet e republikës së Shqipërisë. Nga këto 23 gjyqtarë, 6 janë në ankimin e KPA. Atëherë kjo ishte një zgjidhje që unë e kam deklaruar publikisht që do ta rishikojmë. Në këto momente është e vetmja zgjidhje që na lejon”, tha Llagami.

Zgjidhja e KLGJ-së, nuk u pa si e tillë nga opozita e cila ngriti shqetësimin se shkrirja e Gjykatave të Apeleve në një të vetme, do ta përkeqësojë edhe më shumë dhënien e drejtësisë.

“Për të zgjidhur një çështje më Gjykatën e Apelit në Tiranë, duhen 5820.1 ditë, thënë ndryshe 16 vjet”, u shpreh Alibeaj. 

“Objektivi është efiçenca. Kur flasin për efiçencë do të thotë cilësi në një kohë të shkurtër”, tha Alibeaj.

“Mua nuk më vjen fare mirë që t’ju dëgjoj juve këtu që flisni për shërbim. Është drejtësi, nuk është shërbim. Nuk llogarsim efiçencën si një kompani biznesi”, u shpreh Bylykbashi.

Deputeti Oerd Bylykbashi ngriti shqetësimin se ky kolaps në gjyqësor po sjell pasoja në mënyrën e gjetjes së drejtësisë. 

“Për çështje të rëndësishme ndërmjetësimi po bëhet nga krimi i organizuar. Për çështje pronash, për çështje me vlera të larta, nuk i drejtohen më gjykatës, ia zgjidhin ata”.

“Rregullimi i hartës, rishpërndarja e gjyqtarëve të cilët do të menaxhojnë flukset do të sjell më shumë efiçencë”, tha Gjiknuri.

Kritikave për sistemin gjyqësor iu bashkua edhe deputeti Fatmir Xhafaj, i cili kërkoi KLGJ që të reagoi në rastet kur politika tenton të cenojë pavarësinë e drejtësisë.