“Jemi si lokalet ku njerëzit vijnë vetëm për të urinuar”, Kristo: Shqipëria ka të zhvilluar turizmin e strategjive

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 21:32

“Jemi si lokalet ku njerëzit vijnë vetëm për të urinuar”, Kristo: Shqipëria ka të zhvilluar turizmin e strategjive

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 21:32

Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Erion Kristo, ironizoi në studion e A2 Business se Shqipëria ka të zhvilluar turizmin e strategjive, ku në letër flitet për turizmin e mesëm e të lartë, por jo konkretisht. Sipas tij vendi ynë është shumë larg asaj çka bota ofron në turizëm, sidomos në atë kulturor.

“Ne kemi të zhvilluar turizmin e strategjive, kemi strategji për të gjithë botën. Ne kemi të zhvilluar turizmin në letra, por nuk hedh poshtë përpjekjet për të rritur cilësinë e shërbimit. Unë them se ka filluar të zhvillohet turizmi i aventurës. Ka shumë të huaj që vijnë në Shqipëri për të. Turizmin e detit e kemi pasur deri diku. Kemi nevojë për turizmin e sportit. Do të doja të zhvillohej edhe turizmi kulturor, se jemi shumë larg asaj që bota ofron në këtë fushë. Ne në strategji e kemi turizmin e mesëm e të lartë dhe ne jemi si lokalet ku njerëzit vijnë vetëm për të urinuar”.

Për Kriston përgatitjet për turizmin duhet të nisin shumë kohë para se të fillojë dhe nuk duhet të mbetemi vetëm te turizmi i diellit.

“Përgatitje për turizmin shumë kohë para se të fillojë. Të mos kemi vetëm turizëm dielli se të gjitha janë para e mundësi. Kemi rastin e sportit që të gjithë u bënë aq makut sa deshën të hanin një balenë të tërë dhe nuk hëngrën as cironkën. Të vijnë me mijëra njerëz të ndotin e prishin dhe të mos lënë asgjë ,kjo është e tmerrshme dhe duhet të ndryshojë. Rasti i Lezhës është shumë pozitiv dhe mund të them me mburrje se të gjitha restorantet kanë shtruar një tryezë që e ndjeje veten si në turizmin botëror. Po ofrohet cilësi jo sasi”.

Për përfaqësuesen e turizmit të aventurës Blerina Ago  Shqipëria është në hapat e parë të zhvillimit të turizmit.  

“Shqipëria ka filluar turizmin përmes turizmit të aventurës dhe të gjithë e kuptojnë rëndësinë si pjesë e parë e zhvillimit të turizmit. Shqipëria është në hapat e parë drejt zhvillimit të turizmit dhe para pandemisë ka angazhuar mbi 200 mijë punëtorë direkt e indirekt që lidh shumë industri të tjera. Është një mundësi ekonomike për komunitetet lokale. Shohim prirje të politikave të qeverisë drejt turizmit malor dhe të aventurës”.

Por për përfaqësuesin e industrisë turistike Ferjolt Ozuni këtë vit nuk ka ndonjë risi për ta bërë atë më atraktiv krahasuar me vendet e rajonit. Sipas tij vendi ynë çalon në një sërë shërbimesh të turizmit.

“Në aspektin organizativ e operacional nuk kemi ndonjë ndryshim, apo risi për të qenë më atraktiv nën treg se vitet e mëparshme. Është e vështirë të jemi atraktivë në një treg të egër si rajoni pavarësisht se synimet e strategjitë ngelen në letra. Industria e turizmit kërkon një gamë të gjerë shërbimesh dhe ne këtu çalojmë shumë. Këtë vit e vetmja gjë ë mirë është riorganizimi i plazheve para se të jetë shumë vonë. Vazhdojmë të mbetemi me kantiere ndërtimi e rrugë të hapura gjithandej pikërisht në sezonin turistik që krijojnë trafik, ngarkesë, tymra dhe zhurma. Dhe vazhdon problemi histori i shërbimit”.

Ndërsa për drejtoren e shoqatës për autonominë vendore, Adelina Farici, turizmi shihet me prioritet nga bashkitë.

“Turizmi shikohet si prioritet dhe rezultati ka mobilizuar edhe plane veprimi nga bashkitë duke korrigjuar e mësuar nga vitet e mëparshme. Turizmi që ka më shumë vizitorë është ai bregdetar, pavarësisht se ofrohen dhe atraksione të tjera turizmi. Duhet të kemi koordinim me qytetarët”.