Korridor humanitar në Severodonetks, Zelensky: Po pësojmë humbje të dhimbshme, na duhen armë

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 12:41

Korridor humanitar në Severodonetks, Zelensky: Po pësojmë humbje të dhimbshme, na duhen armë

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 12:41

Banorët e bllokuar në qytetin e Severodonetskut kanë një shpresë për t’i shpëtuar ferrit atje, ndërsa një korridor humanitar, u njoftua për herë të parë që prej shpërthimit të luftimeve.

Ushtria e Moskës njoftoi se evakuimet në qytetin, që po mban peshën më të rëndë të betejës së ashpër në rajonin lindor, do të zgjasin për 12 orë, me banorët që do të dërgohen në territoret e pushtuara në veri të vendit.

Qyteti është praktikisht i izoluar nga pjesa tjetër e Ukrainës, pasi forcat pushtuese hodhën në erë një numër urash të rëndësishme. 12 mijë persona besohet se janë të bllokuar në qytetin ku para luftës  jetonin rreth 100 mijë banorë.

Në mesazhin e fundit, presidenti Volodymyr Zelensky tha se ushtria e Kievit po pëson humbje të dhimbshme në Donbas dhe përsëriti thirrje për sisteme moderne raketore, për mbrojtjen e vendit.

“Luftimet intensive vijojnë në Severodonjetsk dhe rrethina. Ushtria jonë po pëson humbje të dhimbshme, por ne vazhdojmë të rezistojmë. Ky është vendi ynë. Përsërisim thirrjen për partnerët tanë se Ukrainë ka nevojë për artileri moderne, antiraketore. Vonesat në sigurimin e këtyre armëve nuk kanë justifikim”, tha Zelensky.

Në përditësimin e fundit, Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe tha se Rusia kontrollon pjesën më të madhe të qytetit të Severodonetsk, pas një muaj luftime intensive. Moska u dha ultimatum forcave ukrainase të strehuara në impiantin kimik të Azotit në qytet, të ulin armët dhe të dorëzohen. Bashkë me luftëtarët në fabrikë gjenden edhe 560 civilë.  Rusia po paguan një çmim të rëndë për avancimin në lindje.

Sipas Kievit, të paktën 250 ushtarë rusë janë vrarë në 24 orët e fundit, duke e çuar në mbi 32 mijë e 700 totalin e humbjeve në radhët e trupave të Moskës.