“Po humbasim me shpejtësi identitetin”, Tare: Nuk kemi të zhvilluar asnjë lloj turizmi

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 21:19

“Po humbasim me shpejtësi identitetin”, Tare: Nuk kemi të zhvilluar asnjë lloj turizmi

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 21:19

Eksperti për turizmin Auron Tare u shpreh kritik dhe shumë ashpër në lidhje me zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Në studion e A2 Business, ai ngriti disa shqetësime dhe problematika që shoqërojnë turizmin shqiptar. Sipas tij 99% e bregdetit është e zaptuar dhe nuk ka as standard apo kritere të përcaktuara.

“Në Shqipëri nuk kemi të zhvilluar asnjë lloj turizmi. Unë nuk e quaj turizëm. Çështjen e plazheve nuk do njeri ta zgjidhë se e drejta e daljes në det është e përcaktuar që në ligjin romak dhe është e shenjtë, kurse në Shqipëri është 99% e zaptuar nuk ka standard e kritere të përcaktuara dhe vazhdon e njëjta problematikë që është vit pas viti. Ne flasim në verë, flasim në TV dhe nuk bëjmë asgjë”.

Duke folur për Sarandën dhe konkretisht Butrintin ai tha se janë vetëm dy guida, çka bën që turistët e huaj t’i sjellin me vete. Por një shqetësim më i madh që ai shpesh tha se e ka ngritur, është turizmi ditor nga Korfuzi apo Mali i zi. Sipas tij turizmi i kulturës në Shkodër e Butrint janë shtojca të Malit të Zi dhe Korfuzit, ndërsa kritikoi edhe ministrinë përkatëse.

 “Situata është si zakonisht në Sarandë, po të shkosh në Butrint dy guida janë, nuk ka shërbime, qendra kryesore e trashëgimisë, se grupet që vijnë i marrin me vete se nuk ka guida në Butrint.

Ka një çështje interesante që kam ngritur. Turizmi ditor sidomos nga Korfuzi apo Shkodra hedhin plehrat, paratë i paguajnë ose në Korfuz apo Mal të Zi dhe nuk shpenzojnë dhe turizmi i Kulturës në Shkodër e Butrint janë shtojca të Malit të Zi dhe Korfuzit. Asnjë ministër nuk e kupton se çfarë ndodh. asnjë bashki nuk ka diskutuar taksë për turistët ditorë. Ne këtë gjë nuk e kuptojmë. Butrinti e Syri i kaltër shfrytëzohen nga Korfuzi. Thuaju çfarë të duash nuk dinë ministrat nuk ka njerëz në Shqipëri që prekin çështje serioze ne po tërhiqemi zvarrë”.

Tare thekson se vendi ynë duhet të kishte turizëm të mesëm e të lartë por aktualisht është në nivelin e ulët, pasi edhe tregu i turistëve skandinavë është larguar apo edhe ai i jahteve.

“Në Sarandë po vinin turistë skandinavë dhe ky treg iku se nuk gjeti kushte shërbim të mirë dhe po vijnë bjellorusë, serbë. Shqipëria duhet të kishte tagër turizmin e mesëm dhe të lartë. Deri vjet Saranda kishte sasi të madhe jahtesh, qeveria vendosi taksë dhe e zhduku këtë treg. Në Sarandë banorët dalin me pankartë që shesin dhoma Saranda mund të tërheqë vetëm turistin e ulët minimal dhe jo të edukuar që vjen për trashëgiminë dhe qytetin”.

Një tjetër shqetësim për Taren është humbja e identitetit në turizëm, që sipas tij kjo nuk sjell turistin e edukuar dhe atë që shpenzon.

“Nga Palasa e tutje nuk ka më jug, është bërë një shtesë dhe ky nuk është turizëm. Ti duhet të kesh identitetin. Po humbe identitetin çfarë kuptimi ke. Ne Parga bën pushimin me mirë se në Sarandë e Himarë. Ne po humbasim me shpejtësi identitetin dhe kjo nuk të sjell turistin e edukuar dhe atë që shpenzon. Ajo që po bëhet në Shëngjin nuk quhet vend turistik me atë që po ndodh me ndërtimet”.