Rama dhe Abazoviç në Kiev, premtojnë mbështetje për integrimin në BE dhe rindërtim në Irpin
Rama dhe Abazoviç në Kiev, premtojnë mbështetje për integrimin në BE dhe rindërtim në Irpin
Kryeministri Rama me homologun e tij të Malit të Zi, Dritan Abazoviç i dhanë personalisht presidentit të Ukrainës, Zelenski mbështetjen për marrjen e statusit kandidat të Ukrainës në BE, me kreun e qeverisë shqiptare që nuk e kurseu skepticizmin ndaj unionit.
“Dua të them qartë se jemi më shumë se të lumtur që Ukraina të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Nuk duam të spekulojmë që meqë BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën me ne dhe ndoshta njerëzit mendojnë se ne nuk ndihemi mirë nga kjo, por nuk është e vërtetë. Jemi të angazhuar ndaj rrugëtimin tonë evropian, jo për Parisin e Brukselin, por për të ardhmen e brezave tonë të ardhshëm. Nga ana tjetër, e kuptojmë plotësisht këtë dëshirë të zjarrtë qëUkraina kërkon menjëherë statusin e vendit kandidat, pasi të merrni statusin kandidat do të duhet të përballeni me realitetin që statusi kandidat nuk është aq shumë sa mendonit se ishte”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama shkoi përtej mbështetjes, teksa premtoi ndërtimin e një blloku banesash në Irpin.
“Sot patëm mundësinë të shohim nga shumë pranë Irpinin. Jam i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet dhe për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve, për familjet dhe fëmijët e Irpin. BE dhe shumë të tjerë janë pjesë e kësaj përpjekje, por le ta bëjmë në mënyrën ballkanike pa shumë burokraci dhe të jemi të parët që e bëjmë këtë gjë e kjo ndoshta do të përshpejtojë përpjekjet e të tjerave”, shtoi kryeministri.
Edhe Abazoviç dha mbështetjen për integrimin e Ukrainës në BE, ndërsa vuri theksin te ndalimi i luftimeve sa më parë.
“Ju keni miq. Na besoni, ne kemi pasur përvojë të ngjashme 30 vjet më parë. Ne e dimë se çfarë është lufta, agresioni dhe krimet e luftës. Keni mbështetjen e Malit të Zi për integrimin në BE. Është kohë e vështirë për Evropën dhe botën. Ajo që është e rëndësishme është që lufta të ndalet. Do keni mbështetje për rindërtimin e vendit. Do japim kontributin tone, por e rëndësishme është që të gjendet mënyra për të ndalur luftën”, tha Abazoviç.
Presidenti Zelenski i falenderoi kryeministrat për mbështetjen për Ukrainën në rrugën e integrimit, si dhe për ndihmën që vendet e tyre kanë dhënë për refugjatët e luftës.
“Shqipëria, Ukraina, Mali i Zi dhe Maqedonia, duhet të integrohen në BE, nuk jemi rivalë, por plotësojmë njëra-tjetrën, ju falënderoj për mbështetjen. Dua të falenderoj kryeministrat për deklaratën e përbashkët që firmosën sot për mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën. Faleminderit shumë që mbështesni njerëzit tanë që kanë gjetur strehë në vendet tuaja”, deklaroi Zelensky.
Në takimin në Presidencë, mori pjesë online dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili nuk mundi të udhëtonte drejt Kievit për shkak të agjendës.
Gjatë vizitës së tyre në Ukrainë, Rama dhe Abazoviç panë nga afër pasojat e luftës në Borodyanka dhe Irpin, lanë mesazhet e tyre në ekspozitën e luftës, ndërsa takuan dhe kryeministrin Denys Shmyhal dhe kryebashkiakun e Kievit, Vitaly Klitchko.