Rama i bindur: Nuk do të hapen bisedimet për anëtarësim në BE

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 10:42

Rama i bindur: Nuk do të hapen bisedimet për anëtarësim në BE

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 10:42

Në një intervistë për “Politico.eu”, kryeministri Rama u shpreh i bindur se nuk pret që një samit i BE-së, që do të zhvillohet javën e ardhshme, t’i hapë rrugën vendit të tij për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për anëtarësim”, thotë ai.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj se “çfarë sinjalesh mund të japin? Kjo nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por, kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria”.

Rama thekson se nuk priste që udhëheqësit bullgarë të ndryshonin qëndrimin e tyre, pasi ata i kishin bërë mosmarrëveshjet një çështje kaq të madhe sa ishte shumë e vështirë të tërhiqeshin.

“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, deklaroi Rama, i cili do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.

Zyrtarët bullgarë kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, duke këmbëngulur se ata thjesht po i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që t’u përmbahet angazhimeve të mëparshme dhe të kërkojë të mbrojë të drejtat e bullgarëve në vend. Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, ka deklaruar se po bën përpjekje me mirëbesim për t’u angazhuar me Sofjen dhe theksoi se ”një mosmarrëveshje dypalëshe nuk duhet të pengojë fillimin e bisedimeve midis BE-së dhe një anëtari të mundshëm”.

Rama konfirmoi se nëse nuk ka përparim këtë muaj, ai do të kërkojë që oferta e Shqipërisë për anëtarësim të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut – një hap që BE-ja deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, me zyrtarët që argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku. “Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, ne do të kërkojmë të ndahemi nga ky çift, që tashmë po humbet vazhdimisht”, tha Rama. “Kam besim se kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe, nëse udhëheqësit e BE-së do të pajtohen apo jo, këtë do ta shohim”, shton ai.