Rusia pranon planin e OKB: Lejojmë kalimin e sigurt të grurit

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 20:35

Rusia pranon planin e OKB: Lejojmë kalimin e sigurt të grurit

Përditësuar më: 15/6/2022, ora 20:35

Rusia pranon planin e Kombeve të Bashkuara për të zhbllokuar eksportet ukrainase. Shteti që nisi luftën ofron kalim të sigurtë për anijet me dërgesat e grurit në portet në Detin e Zi, por hoqi të gjitha përgjegjësitë nga vetja për ndonjë keqfunksionim të mundshëm.

Vassily Nebenzia, ambasador i Rusisë në OKB, tha: “Ne nuk jemi përgjegjës për krijimin e korridoreve të sigurta. Ne thamë se mund të sigurojmë kalim të sigurt nëse krijohen këto korridore. Është e qartë se ato krijohen duke çminuar territorin që u minua nga ukrainasit ose duke u siguruar që kalimi të bëhet larg atyre minave që flenë në port”. 

Reagimi vjen pasi Turqia i kërkoi Rusisë një opinion zyrtar për planin e Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavoshollu, tha se do të duhet pak kohë për të çminuar portet e Ukrainës dhe ndërkohë mund të krijohet një korridor i sigurt detar në zonat pa mina.

Që prej nisjes së luftës, eksportet e këtij shteti kanë ndalur, duke luhatur çmimet globale të grurit, vajit të gatimit, karburantit dhe produkteve të tjera. Sakaq, lufta ka dëmtuar prodhimin e këtij viti si dhe magazinat e mallrave. Eksportet e Ukrainës kanë qenë 40 për qind më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa Kievi ka akuzuar Rusinë se po i grabit grurin dhe se po e shet në vendet e Afrikës.

Kremlini ka mohuar diçka të tillë, megjithatë ka vendosur në funksion linja treni për të transportuar për në Krime mallra nga Ukraina.