Shtrenjtohen çmimet e banesave. Ndërtimet në rritje, shqiptarët blejnë vetëm me kredi

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 15:52

Shtrenjtohen çmimet e banesave. Ndërtimet në rritje, shqiptarët blejnë vetëm me kredi

Përditësuar më: 14/6/2022, ora 15:52

Çmimet e apartamenteve nuk e njohin krizën. Të dhënat e fundit nga anketa e Bankës së Shqipërisë për pasuritë e paluajtshme tregojnë se çmimet e pronave u rritën me 8.4% në gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar. Shtrenjtimi vërehet thuajse në të gjitha zonat, duke nisur nga ato elitare e deri tek periferitë.

Po çfarë po i rrit çmimet e apartamenteve? “Në fund të vitit të kaluar, pjesa e Freskut ishte 650 euro/m2, sot është 750 euro/m2. Pjesa e Astirit ka qenë 750-780 euro/m2, sot është 800 euro/m2. Diktuar nga presion inflacionist, edhe nga rritja e kostove të ndërtimit, i gjithë tregu po njeh rritje të çmimeve”, thotë për A2 CNN, Reinaldo Pipiria, ekspert për tregun imobiliar.

Sipas ekspertëve të tregut paralelisht me ofertën është rritur dhe kërkesa, ku shumë ndërtues i likuidojnë apartamentet që në nisje të ndërtimeve. Kryesisht kategoria që afrohet më shumë për blerjen e një banese janë çiftet e reja të cilët si formë pagese zgjedhin huan e marrë në bankë, pasi çmimet për pjesën dërrmuese janë të papërballueshme me pagat që kanë.

“Kryesisht janë familje me moshë mesatare 30-35 vjeç. Kryesisht janë njerëz që kanë stabilitet në vendin e punës dhe financohen nga sektori bankar”, tregon Pipiria. “70% e portofolit tonë, e transaksioneve që ndërmjetësojnë, i kanë blerë shtëpitë me huamarrje”.

Agjentët e tregut imobiliar shprehen se në katër vitet e ardhshme oferta do të jetë e lartë. Më shumë ndërtesa të reja dhe një rritje e çmimeve nga 5 deri në 10%. Sipas tyre një familjeje shqiptare i nevojiten deri në 10 vite për të zotëruar një shtëpi dhe kjo jo për shkak të çmimeve që ofrojnë ndërtuesit por kostove të tjera të jetesës që rëndojnë mbi qytetarët.