Del fotoja e Ken në filmin e ri “Barbie”, tërbohet interneti

Përditësuar më: 16/6/2022, ora 10:58

Del fotoja e Ken në filmin e ri “Barbie”, tërbohet interneti

Përditësuar më: 16/6/2022, ora 10:58

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig është parashikuar të dalë nëpër kinema vitin e ardhshëm, por interneti është “çmendur” që tani pas publikimit të fotos së aktorit Ryan Gosling, në rolin e personazhit Ken. Në këtë film, rolin e Barbie-t e luan një tjetër yll i kinemasë, Margot Robbie.

Sipas fotos së publikuar për herë të parë, aktori kanadez është mishëruar tërësisht në rolin e kukullës Ken, me flokët e lyer biond me shkëlqim, lëkurën e nxirë, dhe me një jelek xhins pa mëngë.

Reagimet në rrjet ishin të shumta, por jo të gjithë mendonin njësoj. Ndërsa shumë përdorues të rrjeteve sociale vlerësuan punën e bërë dhe ngjashmërinë mes aktorit dhe personazhit, të tjerë vunë në dukje se Ken është në të 20-tat, ndërsa Gosling ka kaluar 40 vjeç tashmë.

Në filmin që pritet të dalë në kinema në korrik 2023, luajnë gjithashtu emra të tjerë të rëndësishëm, si Will Ferrell, Issa Rae, Simu Liu, Kate McKinnon, America Ferrera, Michael Cera, dhe Alexandra Shipp.

Historia zhvillohet në “Barbieland”, ku një kukull, pasi e përzënë sepse nuk ishte e përkryer, nis aventurën në jetën reale.