Projektet e UEFA, tjetër turne për klubet, ndryshon edhe Superkupa e Europës

Përditësuar më: 16/6/2022, ora 13:32
UEFA TURNE I RI NDRYSHON EDHE SUPERKUPA frame 83 1280x720

Projektet e UEFA, tjetër turne për klubet, ndryshon edhe Superkupa e Europës

Përditësuar më: 16/6/2022, ora 13:32

Panorama e aktiviteteve ndërkombëtare mund të pësojë shumë shpejt një tjetër ndryshim. UEFA ka projektuar dhe ka nisur nga puna për krijimin e një tjetër aktiviteti për klube, i cili do të zhvillohet përpara fillimit zyrtar të sezonit.

Bëhet fjalë për një turne me katër skuadra, që pritet të zhvillohet në mesin e muajit gusht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të angazhuara do të jenë fituesja e Champions League dhe tre klube të mëdha europiane.

Në vazhdën e ndryshimeve, duket e paevitueshme që të evoluojë edhe formati i Superkupës së Europës. Nëse deri më tani për këtë trofe janë përballur fituesja e Champions me atë të Europa League, sipas planit të ri, tashmë sfida do të jetë ndërmjet ekipeve kampione në Europa dhe Conference League.

Të gjithë këto ndryshime, pritet të zbatohen duke nisur nga viti 2024. Lajmi është raportuar nga L’Equipe. Sipas prestigjiozes franceze, turneu i ri veror do t’i paraprijë formatit të ndryshuar të Champions League, që do të zgjerohet me 36 skuadra pjesëmarrëse.

Aktiviteti do të ketë dy ndeshje gjysmëfinale, një finale të vogël për vendin e tretë dhe finalen për trofeun. “Bëhet fjalë një prej ideve që ndodhen në tryezën e diskutimeve, por asgjë nuk është vendosur”, pohoi një burim i UEFA-s për agjencinë e lajmeve “Afp”.