Provimet e lirimit, nxënësit gati për t’u testuar në lëndën e matematikës

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 09:37

Provimet e lirimit, nxënësit gati për t’u testuar në lëndën e matematikës

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 09:37

Nxënësit e klasave të nënta morën konsultimin e fundit në prag të provimit të matematikës. Ersi ngriti dorën i pari për të zgjidhur një nga ushtrimet e tezës së vitit të kaluar në provimet e lirimit, duke zgjidhur ushtrimin në dërrasën e zezë. 

Konsultimet për të kanë shkuar mirë, falë edhe vullnetit të tij për të përforcuar njohuritë e marra. Ndonëse një nga lëndët më të vështira për shumicën e tyre, nxënësit thonë se kanë arritur të rikuperojnë disa mangësi të krijuara nga mësimi online gjatë pandemisë.

Për të plotësuar boshllëkun që krijoi mësimi online, stafet pedagogjike kanë përforcuar dhënien e njohurive.

“Sigurisht, ka pasur probleme me mësimin online dhe arritjet nuk kanë qenë si në vitet e tjera, por me mësimin përforcues në shtator dhe konsultimet, mendoj se do të arrijmë rezultatet e duhura në provimet kombëtare të arsimit bazë”, thotë drejtuesja e shkollës “Misto Mame” në kryeqytet.    

Një ndihmë të madhe për nxënësit kanë dhënë edhe psikologët, të cilët janë kujdesur për të shkarkuar gjithë gjendjen emocionale të tyre.

Provimi i matematikës për klasat e nënta, do të zhvillohet të enjten e 23 qershorit.