“Shërbimi po përmirësohet, problem mbetet sezonaliteti”, ekspertët: Rrjedhja e stafit, thembra e Akilit e turizmit shqiptar

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 10:01

“Shërbimi po përmirësohet, problem mbetet sezonaliteti”, ekspertët: Rrjedhja e stafit, thembra e Akilit e turizmit shqiptar

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 10:01

Një nga problematikat më të mëdha në sektorin e turizmit, sektor ky që cilësohet prioritet për ekonominë shqiptare, është mungesa e personelit. Po nga vjen ky paradoks, në një vend nga i cili të rinjtë ikin pikërisht për mungesë alternativash?

Sipas Gladiola Dona, sipërmarrëse në sektorin e formimit profesional me Hospitality and Tourism Academy, “mungesa e personelit vjen si diçka e trashëguar, nga një epokë ku thuhej që në shkollat profesionale shkojnë vetëm nxënësit e dobët, ku kamerieri nuk ka dinjitetin e figurës së profesionistit, pra nga mungesa e kulturës  së dyfishtë, nga të dyja palët”.

Por ka edhe një fenomen të ri, thekson eksperti i fushës Kliton Gërxhani. “E reja e momentit, jo vetëm për Shqipërinë, është pandemia. Nuk arritëm të mbanim një brez të punësuarish, nuk patëm subvencione nga qeveria. Ne kemi marrë vetëm një pagë lufte, 40 mijë lekë. Dikush ka ikur nga Shqipëria, dikush tjetër ka gjetur alternativa të tjera. Rrjedhja e stafit është thembra e Akilit e këtij sektori.

Por si është e mundur mungesa e burimeve njerëzore në një vend të varfër si yni? Sipas ekonomistit Dritan Shano, “ne duhet të diskutojmë si krijohet pasuria, cili është currili i pasurisë që i bën këto persona të rrinë në kafe dhe të mos kërkojnë punë. Mbi 60%  e ekonomisë sonë, bazohet te shërbimet, ku futet edhe turizmi, ndërkohë që cilësia e këtyre shërbimeve është e mjerë”.

Nga ana tjetër, kemi një problem kulturor, siç është suksesi në këtë vend. Shqipëria është bërë një vend ku të jetosh me djersë. Persona me master që do të ofendoheshin të bënin kamerierin këtu, nuk e kanë problem ta bëjnë në Kretë. Çdo përpjekje për arsimin profesional këtu, duket e njëanshme. Në Gjermani, shkollat profesionale i ka bërë privati, jo shteti. Biznesi nuk ka pse pret nga shteti, dhe e organizon vetë shkollimin. Kemi një biznes të ri dhe të edukuar keq”.

Eksperti i formimit profesional, Fatjon Dragoshi, nga “Aftësi për punë”, evidenton një nga problematikat kryesore në këtë sektor. “Fjala kyçe është sezonaliteti, ju siguroj që gjatë 10 muajve të vitit ku nuk është sezon i lartë, ne kemi mjaftueshëm personel të kualifikuar, problemi është në sezonalitetin e shkurtër dhe të lartë 2-3 mujore”, thotë ai i ftuar në “Absolut 4”.

Zgjidhja, sipas tij, nuk është e thjeshtë, as e menjëhershme. “Jam i bindur që pas pikut veror, ne do të kemi fluks të lartë turistësh. Pra e kemi të pamundur një zgjidhje të qëndrueshme në këtë 5-vjeçar. E vetmja alternativë është një fushatë për të bindur studentët që të punojnë gjatë verës në sektorin e turizmit, të përgatiteshin kurse të shkurtra për t’i trajnuar. Më trishton mendimi që kemi nga anët tona se duhet të studiojmë gjatë në fillim të jetës, të kryejmë studimet, pastaj të punojmë, ndërkohë që ne duhet të studiojmë dhe të trajnohemi gjatë gjithë jetës”.  

Ekspertja Gladiola Dona sjell gjithsesi edhe një qasje më optimiste. “Çdo vit kam 60 persona që marrin certifikatën e drejtuesit të hotelit, ata më sjellin edhe stafin e tyre për trajnim. Shërbimi është rritur gjithsesi, dhe ka shumë hotele që nuk vuajnë për staf dhe sezonalitet, dhe nuk sjellin persona nga Nepali dhe Sri Lanka, sepse janë gjithmonë veprime që kanë kosto të fshehura”, shpjegon ajo.