Bojkoti i avokatëve sjell dështimin e gjyqeve, vetëm në Tiranë ishin programuar 1 mijë seanca

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 17:27

Bojkoti i avokatëve sjell dështimin e gjyqeve, vetëm në Tiranë ishin programuar 1 mijë seanca

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 17:27

Kjo e premte shënoi ditën e fundit të bojkotit 4-ditor të proceseve gjyqësore nga avokatët në mbarë vendin. Përmes braktisjes së proceseve, ata kërkuan t’u dëgjohet zëri për ndryshim të hartës gjyqësore të miratuar nga KLGJ, ku parashikohet shkrirja e 18 gjykatave në vend.

Sipas të dhënave të siguruara nga A2 CNN, vetëm në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm në kryeqytet gjatë ditëve të bojkotit dështuan gati 1 mijë seanca gjyqësore.

Numri më të madh të proceseve që “ngecën” për shkak të mungesës së avokatëve ishte në Gjykatën e Tiranës, që në ditët e bojkotit kishte programuar afro 920 seanca.

Në rang zbritës, gati 80 seanca ishin planifikuar në Shkallën e Parë dhe Apelin e Posaçëm, 15 në Apelin e Tiranës dhe më pak se 5 seanca në Gjykatën e Lartë. Të vetmet seanca të zhvilluara, ishin ato ndaj masave të sigurisë, si edhe seancat në dhoma këshillimi në Gjykatën e Lartë, në të cilat nuk ka prani të avokatëve.

Bojkoti 4-ditorë ishte aksioni i parë i avokatëve kundër hartës gjyqësore të miratuar nga KLGj, që kanë paralajmëruar përshkallëzim nëse nuk reflektohen pretendimet e tyre. Vetë KLGJ gjatë së enjtes deklaroi se projekti i miratuar ishte produkt i një procesi gjithëpërfshirës konsultimi.

Pas miratimit nga KLGJ, për hartën e re gjyqësore do të japë mendim edhe KLP, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave dhe se miratimi përfundimtar i hartës bëhet nga qeveria.