Macron pas vizitës në Kiev: S’ka paqe në Ukrainë nëse synimi është të shtypet Rusia

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 15:13

Macron pas vizitës në Kiev: S’ka paqe në Ukrainë nëse synimi është të shtypet Rusia

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 15:13

Ukraina nuk do të ketë paqe nëse objektivi përfundimtar i konfliktit në vend do të jetë shtypja e Rusisë. Në një intervistë për televizionin francez BFM TV, presidenti francez Emanuel Macron mbrojti qëndrimin e tij pro dialogut me Rusinë, një ditë pasi siguroi Kievi për mbështetje të pakufishme.

Kreu i Elizesë është kritikuar nga Kievi për qëndrim të butë ndaj Moskës, dhe ndryshe nga liderët e tjerë perëndimorë si Joe Biden dhe Boris Johnson ka shmangur sulmet e forta ndaj presidentit putin. Në intervistën pas kthimit nga Kievi, Macron tha se kishte dëgjuar se objektivi i kësaj lufte ishte shtypja e Rusisë, por kjo sipas tij nuk do të çonte kurrë në një marrëveshje paqe. Ai shtoi se do të vazhdonte të dialogonte me Putinin, sa herë që të ishte e nevojshme

“Roli i Francës është që të ndihmojë Ukrainën, njëkohësisht duke mos hequr dorë nga lidhjet dhe mundësisht diskutimet me Rusinë. Do të flas me Putinin sa herë të jetë nevoja”, u shpreh ai.

Macron tha gjithashtu se momentalisht, shihte pak mundësi për një marrëveshje me Rusinë për zhvendosjen e grurit ukrainas nga porti i Odesës, por shtoi se po zhvilloheshin bisedime për të përdorur si alternativë linja hekurudhore që lidhin Odesën nga Danubi në Rumani. Pamundësia e Ukrainës për të përdorur portin e saj të madh në Odesa për shkak të bllokadës ruse ka çuar në rritje të çmimeve globale ushqimore dhe ka nxitur paralajmërimet nga OKB për krizë urie në shtetet e varfra.