Nis reforma zgjedhore, Alibeaj krah Gjiknurit, Bylykbashi kërkon të mos jetë pazar

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 15:32

Nis reforma zgjedhore, Alibeaj krah Gjiknurit, Bylykbashi kërkon të mos jetë pazar

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 15:32

Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore nisi punën të premten me mbledhjen e konsituimit. Socialistët i mëshuan faktit që produkti final kërkon konsensusin e të gjithë aktorëve ndërsa demokratët kërkuan të merren parasysh rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Komisioni i merr vendimet me shumicë, por vendimet janë konsensuale, pasi të kanë të drejtën e vetos dhe çdo mendim duhet të dakordësohet nga dy kryetarët”, tha Gjiknuri. “Shtylla kryesore e trajtimit të reformës zgjedhore nuk është puna e lënë për gjysmë 2 vite më parë, por edhe rekomandimet e OSBE por duhet të na shqetësojë mënyra se si do të interpretohet zbatimi”, tha Alibeaj.

I pranishëm ishte edhe Oerd Bylykbashi pavarësisht se kryetari i PD Sali Berisha kishte deklaruar bojkotin e punimeve të këtij komisioni duke e cilësuar si një farsë të Edi Ramës. Njeriu kryesor i reformës nga radhët e demokratëve kërkoi të shmanget ajo që ndodhi me ndryshimet e vitit 2020. “Kjo reformë zgjedhore nuk mund të jetë një pazar”, tha ai.

Duke e cilësuar sistemin aktual si të dëmshëm, kryetari i grupit parlamentar Aleanca për ndryshim Fatmir Mediu erdhi më një propozim konkret. “Sistemi aktual është vrastar i pluralizmit politik. Sistemi proporcional kombëtar është i duhuri”.

Socialistja Klotilda Bushka kërkoi që duke u bazuar në rekomandimet e ndërkombëtarëve t’i jepet fund një herë e mirë diskutimeve për reformë zgjedhore. “Reforma nuk është as çështje dëshirash as çështje idesh, është çështje standardesh. Për mua ka rëndësi që kjo reformë të ishte e fundit”, tha ajo.

Në fund palët vendosen t’i drejtohen për asistencë organizmave ndërkombëtarë ndërsa u dakordësua që të propozohen 8 ekspertë vendas, nga 4 për secilën palë.