“Siguria e rajonit, në rrezik”, Berisha: Shkak, ndikimi rus dhe plagët e pashërura të konflikteve

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 17:24

“Siguria e rajonit, në rrezik”, Berisha: Shkak, ndikimi rus dhe plagët e pashërura të konflikteve

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 17:24

Nga Azerbajxhani, ku prej ditësh po merr pjesë në forumin e 9 global, Sali Berisha paralajmëroi se siguria në rajonin e Ballkanit është në rrezik.

“Fantazma e ultranacionalizmit që mban pezull konfliktet, një ndikim i fortë rus në rajon dhe krimi i organizuar në nivelet më të larta, në lidhje me pushtete autokratike në korrupsion kërcënojnë sigurinë e rajonit”, tha Berisha.

Gjatë diskutimeve në panelin ku ishte i ftuar, kreu i PD-së e ka cilësuar jetike një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas Berishës, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, me anë të deklaratave të tij, kërcënon stabilitetin e Kosovës: “Ky president u betua para dy javësh para Parlamentit, duke u zotuar se do të mbronte sovranitetin e Serbisë, përfshirë Kosovën. Nëse qëndron kështu, e mban konfliktin të vazhduar. Por, nëse atje shkojnë armë ruse dhe kineze, në atë kohë që Serbia kërcënohet nga askushi, kjo është kërcënuese”.

Nisma Ballkani i Hapur është një interes i fortë rus, pohoi Sali Berisha, teksa deklaroi se ajo mbështetet nga George Soros: “Ballkani i Hapur fatkeqësisht mbështetej fuqishëm nga Soros, në çdo takim ai ka qenë i pranishëm dhe në fakt kemi një përshtjellim për të kuptuar se çfarë lidh ambiciet e Rusisë në rajon dhe projektet e Sorosit, nuk di ku qëndron lidhja, por di të them që është shqetësuese dhe duhet të ndalet”.

Berisha nënvizoi se i vetmi aksioner kryesor për zbutjen e konflikteve dhe vendosjen e sigurisë në rajon janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.