Ukraina më pranë BE, Komisioni Europian rekomandon dhënien e statusit kandidat

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 15:18

Ukraina më pranë BE, Komisioni Europian rekomandon dhënien e statusit kandidat

Përditësuar më: 17/6/2022, ora 15:18

Ukraina bën një hap para drejt synimit për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ashtu sikundër pritej, Komisioni Europian rekomandoi që shtetit të zhytur në luftë ti jepet statusi i vendit kandidat. Njoftimi vjen një ditë pas vizitës së tre liderëve të shteteve kryesore te bllokut, Francës, Italisë dhe Gjermanisë në Ukrainë, ku shprehen qartë mbështetjen për hapjen pa vonesë të rrugës së integrimit për Kievin.

“Ne kemi një mesazh të qartë, dhe ai është: Po, Ukraina e meriton perspektivën europiane; po, duhet mirëpritur si vend kandidat. Kjo do të thotë se punë e mirë është bërë por përpjekje të tjera duhet të pasojnë. i gjithë procesi bazohet në merita kështu progresi do të varet plotësisht nga Ukraina”, tha Von der Leyen.

Presidentja e KE-së tha se rekomandimi për Ukrainën ka ardhur pas një shqyrtimi të thellë të gatishmërisë së këtij shteti për statusin e kandidatit, përfshirë edhe kriteret politike dhe ato ekonomike.

Komisioni europian rekomandoi gjithashtu dhënien e statusit të vendit kandidat për Moldavinë, me pritshmërinë që shteti të ndërmarrë reformat e nevojshme. Për Gjeorgjinë, Komisioni hezitoi të jepte dritën jeshili duke përmendur nevojën përplotësimin e një sërë kushteve para marrjes së statusit kandidat.

Rekomandimet e 17 qershorit te Komisionit Europian do të diskutohen nga liderët e BE-së gjatë takimit më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ku do të merret vendimi përfundimtar. Asnjëherë më parë një rekomandim i tillë për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk është dhënë kaq shpejt. Zelensky dorëzoi kërkesën e Ukrainës pak kohë pas nisjes së agresionit më 24 shkurt, e pak më vonë edhe Moldavia dhe Gjeorgjia bënë të njëjtën gjë.