Futnin veshje dhe ilaçe kontrabandë në Shqipëri, arrestohen 6 persona

Përditësuar më: 18/6/2022, ora 11:29
kontrabande 1280x720

Futnin veshje dhe ilaçe kontrabandë në Shqipëri, arrestohen 6 persona

Përditësuar më: 18/6/2022, ora 11:29

Policia ka goditur një grup që kryente kontrabandë mallrash. Në pranga kanë rënë 6 persona që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave si dhe janë sekuestruar mallra të ndryshme të kontrabanduara, një autobus dhe tre automjete.   

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë organizoi operacionin policor të koduar “Free road”, ku u arrestuan shtetasit Edison Cani, Altin Metani, Dorjan Zguro, Zaljon Braho, Erand Lami dhe Shkëlqim Memeti.

Ndërsa u proceduan penalisht 2 doganierë të pikës doganore Morinë, Kukës, për shpërdorim detyre.

Në rrugën “Jordan Misja”, në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit Altin Metani, Dorjan Zguro dhe Shkëlqim Memeti, të cilët do të merrnin mallrat e dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës.

Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera, pa pullë fiskale, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që i kanë porositur.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të futura kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), autobusi dhe tre automjete.

Policia njofton se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.