Naftë nga Venezuela, niset drejt Europës ngarkesa e parë pas dy vitesh

Publikuar më: 18/6/2022, ora 19:58

Naftë nga Venezuela, niset drejt Europës ngarkesa e parë pas dy vitesh

Publikuar më: 18/6/2022, ora 19:58

Një anije naftëmbajtëse me një ngarkesë prej 650 mijë fuçish po bëhet gati të niset nga Venezuela drejt Europës, eksporti i parë prej dy vitesh nga vendi që vuan sanksionet e SHBA.

Departamenti Amerikan i Shtetit u ka dërguar letra kompanisë italiane ENI dhe asaj spanjolle Repsol, ku i autorizon të rinisin pranimin e naftës bruto nga Venezuela, si një mënyrë për shlyerjen e borxheve të papaguara nga vendi anëtar i OPEC-ut.

Më vonë gjatë këtij muaji, pritet edhe një ngarkesë e dytë, kësaj radhe me 2 milionë fuçi naftë, për t’u dërguar në rafineritë italiane dhe spanjolle. Shumë kompani europiane, aziatike dhe amerikane, kishin akumuluar miliarda dollarë borxhe nga bizneset e tyre të përbashkëta me kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë.

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë dhe krizës së çmimeve të karburanteve, një marrëveshje SHBA-Venezuelë për të lehtësuar sanksionet, është parë nga ekspertët e tregut si një lëvizje e mundshme.

Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, ndërsa sanksionet e administratës Trump në vitin 2019 erdhën si pasojë e shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga Presidenti Nicolas Maduro.