BE vendos për Ukrainën, ndërkohë Zelensky: Rusia mund të intensifikojë sulmet këtë javë                                                                        

Publikuar më: 20/6/2022, ora 13:28

BE vendos për Ukrainën, ndërkohë Zelensky: Rusia mund të intensifikojë sulmet këtë javë                                                                        

Publikuar më: 20/6/2022, ora 13:28

Rusia do të intensifikojë sulmet në Ukrainë, gjatë ditëve në vazhdim teksa Kievi pret lajme mbi synimet për t’iu bashkuar BE-së. Paralajmërimi vjen nga presidenti Voldimir Zelensky, ndërsa anëtarët e bllokut pritet të vendosin këtë javë nëse do t’i japin Ukrainës statusin e vendit kandidat sipas rekomandimit të Komisionit Europian.

Ky hap do të shënonte nisjen e procesit të anëtarësimit të Ukrainës, që mund të zgjasë me vite. Por Zelensky thotë se vendimi mund të shoqërohet me përshkallëzim të akteve armiqësore të Rusisë, dhe jo vetëm kundër Ukrainës.

“Sigurisht që këtë javë duhet të presim nga Rusia intensifikim të akteve armiqësore. Dhe jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe vendeve të tjera europiane. Ne jemi të përgatitur, ne jemi gati”, deklaroi presidenti ukrainas.

Zelensky u zotua të çojë përpara ato që i quajti ambicie historike të Ukrainës për t’iu bashkuar BE-së, e që u mbështetën nga Komisioni Europian javën e kaluar. Por vendimi është tani në dorën e Këshillit Europian, organizmi i përbërë nga liderët e shteteve anëtare, të cilët takohen të enjten dhe të premten në Bruksel.

 “Mendoj se është e qartë për këdo se që prej 1991-shit, ka pasur pak vendime aq të rëndësishme sa ai që presim tani. Jam i bindur se një vendim pozitiv është në interes të të gjithë Europës”, vijoi ai.

Të premten, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk ka asgjë kundër ambicieve te Ukrainës për t’iu bashkuar unionit, por zëdhënësi i tij, Dmitri Peskov, paralajmëroi se çdo hap drejt anëtarësimit do të kërkonte vëmendje të shtuar nga Moska.

Paralajmërimet vijnë ndërsa luftimet në rajonin lindor të Donbas bëhen gjithmonë e më të ashpra. Luftimet vijojnë të jenë të përqendruara në qytetin e Severodonetskut, ku rusët po përpiqen të marrin kontrollin e plotë. Të paktën, 2 civilë humbën jetën në Donjetsk, ndërsa bombardimet plagosën tre fëmijë në qytetin e Kharkivit.