Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Mazhoranca refuzon sërish komisionin për investimet strategjike, Alibeaj: Asgjësim i parlamentarizmit, Balla: Kërkesa e paligjshme

Nga A2 CNN
20 Qershor 2022, 13:30 | Politikë
Mazhoranca refuzon sërish komisionin për investimet strategjike,

Mazhoranca votoi sërish kundër ngritjes së komisionit hetimor për investimet strategjike, në konferencën e kryetarëve me dyer të mbyllura. Sipas demokratit Alibeaj, shumica parlamentare pretendoi se shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë, dhe se një komision i tillë do të shndërrohej në makth për investitorët strategjikë.

“Sot u rrëzua nga mazhoranca me justifikime antikushtetuese e antiligjore që bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Një arsyetim qesharak ishte se po shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë. Ne kemi kërkuar që të gjitha praktikat të hetohen për të parë a është zbatuar apo jo mirë ky ligj. Dhe së treti arsyetimi më qesharak ishte se shndërrohet në makth për investitorët strategjikë. Dhe këtu kuptohet motivi i vërtetë i refuzimit të komisionit hetimor”.

Alibeaj theksoi se “kjo mazhorancë ka vendosur asgjësimin e një prej instrumenteve më të rëndësishme që ka opozita dhe është komisioni hetimor”.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, argumentoi refuzimin e ngritjes së këtij komisioni me faktin që kërkesa e 35 deputetëve të PD-së nuk mbështetet në kushtetutë, ndërsa mungojnë faktet dhe indiciet.

“Shumica konstatoi se kërkesa e 35 deputetëve ka probleme të qasjes kushtetuese, kërkesa nuk ka mbështetje në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka sqaruar rastet kur ngrihen këto komisione hetimore parlamentare. Nuk kërkohet hetimi i një çështje të veçantë mungojnë indiciet, faktet e grupfaktet që justifikojnë një kërkesë të tillë. Unë kam bërë një sqarim shumë të plotë lidhur me arsyet e refuzimit të kësaj kërkese dhe mendoj që opozita ka plot instrumente të tjera të kontrollit parlamentar për të adresuar shqetësimet e veta. Në kërkesë nuk ka asnjë fakt e indicie që kuvendi të investohet. Pa hequr dhe pa i mohuar të drejtën e 35 deputetëve për një komision hetimor, e drejta e kuvendit për të hetuar nuk është e pakufizuar dhe duhet të përqaset me nevojën e indicieve dhe fakteve konkrete. Të kontrollosh të gjitha kontratat, nuk mund të jetë objekt i një komisioni hetimor. Në seancën e së enjtes, unë do të parashtroj të gjitha arsyetimet kushtetuese të refuzimit të kësaj kërkese”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani