“Mos harro Çamërinë”, 78 vjet nga gjenocidi i Greqisë, nis java përkujtimore

Përditësuar më: 20/6/2022, ora 15:41

“Mos harro Çamërinë”, 78 vjet nga gjenocidi i Greqisë, nis java përkujtimore

Përditësuar më: 20/6/2022, ora 15:41

78 vitet që kanë kaluar nuk e bëjnë më të lehtë dhimbjen që shqiptarët e Çamërisë kanë përjetuar nga gjenocidi grek. Në aktivitetin me temë “Mos harro Çamërinë” që shënoi nisjen e javës çame, Tasim Demi një prej atyre që humbi pjesëtarë të familjes, solli dhimbjen e tij në sallën plenare të Parlamentit të Shqipërisë.

Nexhat Mërgjyshi, një prej të mbijetuarve të masakrës e cilëson atë që ndodhi në Çamëri si një ngjarje që edhe nazistët do ta kishin zili. “Pra mesazhi ynë është ky: mos të heshtni!”. Thirrjet për drejtësi nuk munguan. “Secili nga ne ka një plagë dhe kjo plagë e qetëson shpirtin kur të shërohet”, tha historiani Hajredin Isufi.

Drejtësinë e munguar, shkrimtari Kim Mehmeti thotë se i takon Parlamentit dhe qeverisë që ta vendosë dhe kjo do të thotë të shohësh nga e ardhmja, por duke mos harruar të shkuarën. “Është e turpshme që një burrështetas shqiptar të mos detyrojë homologun grek të pranojë çështjen çame, është e turpshme të ulesh me Presidentin e Serbisë, i cili ka dalë nga kapota e Millosheviçit”.

Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, theksoi se kauza që përfaqëson partia e tij nuk do të lihet në harresë. “Fitorja jonë është çështja çame, si një agjendë e ditës dhe jo si një e shkuar për t’u harruar”, tha ai.

Një tjetër çështje të cilës iu mëshua fort ishte ajo e ndalimit nga ana e qeverisë greke të shqiptarëve të Çamërisë për të vizituar vendin e të parëve të tyre. Pak ditë më parë në Tiranë, kur ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, i përmendi homologut grek çështjen çame, Nikos Dendias reagoi ashpër duke deklaruar se sjellja në diskutim e çështjeve që sipas tij nuk ekzistojnë do të çojnë në pasoja të shumëfishta, duke paralajmëruar dhe veto të mundshme në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.