Paralajmëron Lituaninë për Kaliningradin, Rusia hedh fajin nga Europa për krizën e gazit

Përditësuar më: 20/6/2022, ora 16:42

Paralajmëron Lituaninë për Kaliningradin, Rusia hedh fajin nga Europa për krizën e gazit

Përditësuar më: 20/6/2022, ora 16:42

Rusia bën Europën fajtore të vetme për krizën në tregjet e gazit natyror. Në një reagim, Kremlini kërkon rikthimin të turbinës së gazit të përdorur në gazsjellësin Nord Stream 1.

“Kjo është një krizë e krijuar nga njeriu. Është bërë nga duart e Bashkimit Europian. Ne kemi gaz. Është gati për shpërndarje, por europianë duhet të na kthejnë pajisjet, të cilat duhet të riparohen në përputhje me detyrimet e tyre”, u shpreh Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Kompania e gazit e kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, reduktoi furnizimet me gaz në tubacionin Nord Stream 1 javën e kaluar, duke cituar vonesën në kthimin e pajisjeve që po riparohen nga një kompani gjermane në Kanada. Kjo bëri që çmimet në bursa dhe në pikat e shitjeve të karburanteve të luhateshin në kontinentin e vjetër. Aktualisht Nord Stream 1 po punon me vetëm 40 për qind të kapacitetit. Ndërkohë, Moska reagoi edhe ndaj Lituanisë, për vendimin për të ndaluar tranzitin e disa mallrave me destinacion Kaliningradin, enklavën e Rusisë në Detin Baltik.

“Vendimi është vërtetë I paprecedentë. Bie ndesh me çdo gjë. Ne e kuptojmë që ky vendim lidhet me përpjekjet e BE-së për të zgjeruar sanksionet edhe mbi tranzitin. Por gjithashtu e konsiderojmë këtë të paligjshme. Situata është më serioze në këtë kontekst dhe kërkon analizë të thellë përpara se ne të formulojmë përgjigjen dhe hapat e radhës”, tha Peskov.

Autoritetet e Lituanisë bllokuan kalimin e mallrave të cilat janë sanksionuar nga Bashkimi Europian, duke bërë që tranziti i vetëm me anë të një linje hekurudhore mes Rusisë dhe Kaliningradit të mos funksionojë. Kjo është një ndër mënyrat kryesore që ka kjo enklave, që gjendet mes Polonisë dhe Lituanisë, për të marrë furnizime.