Korfuzi kërkon të marrë ujin e Syrit të Kaltër të Shqipërisë

Publikuar më: 21/6/2022, ora 11:15
syri i kalter 1280x720

Korfuzi kërkon të marrë ujin e Syrit të Kaltër të Shqipërisë

Publikuar më: 21/6/2022, ora 11:15

Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris, ka ngritur çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit. Lajmi, i cili është publikuar në portalin grek ERT NEWS dhe mban datën 26 maj të këtij viti, i referohet deklaratës së Machimaris, që flet për një marrëveshje me vendin tonë për transferimin e burimit të Syrit të kaltër drejt Greqisë.

“Duke marrë parasysh si zhvillimet ashtu edhe situatën aktuale në vitet në vijim, do të përballemi me krizën e ujit, një krizë që zvarritet me të njëjtat karakteristika për më shumë se 30 vite radhazi. Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne paraqesim një propozim/memorandum teknik të furnizimit me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë parasysh dhe duke shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studimet ekzistuese si ai i Politeknikut (1991), të cilat mund të përditësohen në të dhënat aktuale”, deklaroi Machimaris.

Ky lajm është denoncuar sot edhe nga deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila duke iu referuar këtij artikulli akuzon qeverinë Rama për papërgjegjshmëri dhe çmenduri, në një kohë që Saranda, Delvina dhe qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm.

“Të transferojnë ujin e burimit nëntokësor të Syrit të Kaltër në Greqi, kjo mund të jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e radhës e Qeverisë Rama! Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do të ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore.

Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, por s’ka shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër.

Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!”, shprehet Zhupa.