Kthimi i ligjit për Butrintin, Meta sqaron arsyet: Shteti duhet të kishte rol diktues e kontrollues dhe jo të heqë dorë

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 12:08

Kthimi i ligjit për Butrintin, Meta sqaron arsyet: Shteti duhet të kishte rol diktues e kontrollues dhe jo të heqë dorë

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 12:08

Një ditë pasi ktheu për rishqyrtim marrëveshjen për parkun Kombëtar të Butrintit, presidenti Ilir Meta ka shpjeguar në një konferencë për mediat se shteti e ka detyrim ligjor e kushtetues mbrojtjen e tij dhe jo t’ia kalojë përgjegjësinë një OJF-je. Sipas Metës, shteti duhet të kishte rol diktues dhe kontrollues dhe jo të heqë dorë nga përgjegjësia.

“Është detyrim i shtetit shqiptar ruajtja e tij. Parku i Butrintit është me vlera universale, dhe sipas konventës, përgjegjësia e ruajtjes nuk mund t’i kalojë në një organizmi si OJF, por ngelet përgjegjësi e shtetit. Shteti, nëse do të aplikojë këtë formë administrimi përmes një fondacioni, duhet të ruante pozitën dominuese vendimmarrëse dhe të drejtën e vetos në funksion të interesit publik në përputhje me konventën dhe kushtetutën. Marrëveshja për administrimin e kësaj pasurive duhet të bëhej në përputhje me Kushtetutën dhe vizionin e së ardhmes dhe jo e fragmentizuar në plane 10-vjeçare. Në asnjë mënyrë, autoriteti rregullator dhe buxhetor nuk mund të deklarohen se nuk përmbushin detyrimet. Është e papranueshme logjika që për një pasuri si Butrinti me vlera kaq të larta, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi dhe autorizon një fondacion, ku nuk dikton dot rolin drejtues apo kontrollues, sipas përgjegjësisë kushtetuese që i takon. Nëse qeveria shqiptare deklaron sot mosgarantimin e mbrojtjes së vlerave kulturore e natyrore, kombëtare e universale si do të mundet ta garantojë atë me një fondacion me fuqi vendimmarrëse të kufizuar”.

Një tjetër e metë, sipas Metës është dhënia e titullit partner strategjik, që është kryer nga një organ që nuk ia ka dhënë këtë tagër ligji, si edhe mungesa e transparencës.

“Një tjetër e metë është edhe dhënia e titullit partner strategjik, që është kryer nga një organ që nuk ia ka dhënë këtë tagër ligji. Nuk ka kompetencë të vlerësojë strategjik. Kam vlerësuar se kjo çështje duhet të marrë kohë. Duhet të ishte marrë një komunikim i ngushtë dhe ekspertiza e UNESCO-s. Mungesa e transparencës jo me opinionin publik, por edhe nga ish-anëtarë të bordit të përzgjedhur që përmes deklaratave e kanë bërë të ditur”.