Reforma territoriale, Çupi: Synimi është t’u kthejmë qytetarëve pushtetin vendor

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 20:58

Reforma territoriale, Çupi: Synimi është t’u kthejmë qytetarëve pushtetin vendor

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 20:58

Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale nisi nga puna javën e shkuar dhe deri në fund të korrikut energjia e politikes duket se do të jetë e përqendruar atje, si edhe te komisioni i reformës zgjedhore. Të konstituar me vonesë, edhe pse kishte muaj që ishin miratuar, puna e dy komisioneve duket se nuk do të jetë e lehtë edhe për shkak të objektivit të ndryshëm që mazhoranca dhe opozita kanë në këtë drejtim.

Reforma territoriale u miratua në vitin 2014 dhe opozita e asaj kohe e bojkotoi. Vendi është i ndarë në 61 bashki, ndërsa nuk ekzistojnë më Komunat. Por, a i ka shërbyer kjo ndarje qytetarëve apo politikës deri më sot? Çfarë pritet të ndryshoje dhe a do të jetë fokusi te llogaritë elektorale?

A do të ketë konsensus mes palëve apo reforma do të jetë e njëanshme ose do të dështojë?

Për këtë çështje u diskutua mbrëmjen e së martës në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Dhurata Çupi, bashkëkryetare e komisionit të posaçëm të reformës territoriale, nga PD, u shpreh se synimi është që pushteti vendor të rikthehet te qytetarët. Sa i përket ndarjes aktuale territoriale, ajo theksoi se është pranë dështimit.

“Një reformë në një vend të vogël si ne, me konflikte politike, është e destinuar të dështojë kur nuk ka konsensus dhe rasti konkret është edhe reforma e fundit. Këto janë edhe kushtet që tregojnë nëse një reformë është apo jo e suksesshme. Kjo reformë është në kufijtë e dështimit, për të mos thënë është e destinuar. Reforma synoi decentralizim, por kemi një pushtet vendos të centralizuar si asnjëherë më parë. Sot nuk ka më autonomi vendore, qeveria vendos për gjithçka. Në shumë njerëz nuk ka fare shërbime.

Ne kemi një arsye për të besuar se ajo që pretendojmë është e bazuar. Ekspertët më të mirë të PD janë sot aktivë. Ne e dimë se çfarë i dhemb sot pushtetit vendor. Ne jemi një organ politik dhe sigurisht që qasjen politike nuk mund ta anashkalojmë. Në qershor ne do të komunikojmë me qytetarët për të kuptuar se çfarë nuk ka shkuar mirë dhe pas një analize të thellë ne do të jemi në gjendje për të artikuluar në lidhje me numrin.

Vijat në hartë nuk kanë shumë rëndësi, por faktet tregojnë se edhe numri i bashkive ka rëndësinë e vetë sa i takon afërsisë së shërbimit me qytetarin. Synimi është t’u kthejmë qytetarëve pushtetin vendor”, tha Çupi.