
Të kuqtë vijojnë përgatitjet, Telushi: Dua të fitoj titullin kampion me Partizanin
Bruno Telushi kërkon të fitojë titullin kampion me Partizanin. Skuadra e kuqe po vijon përgatitjet intensive në Slloveni ku grupi është parë i plotë dhe me një frymë pozitive për ndeshjet e Europës.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit , Telushi tregoi objektivat dhe pritshmëritë për këtë sezon.
“Rikthimi ka qenë i bukur, për mua kjo është familja ime. Më dha ndjesi të mirë dhe shumë kënaqësi. Kisha shumë muaj jashtë fushe dhe rikthimin e bëra me kënaqësi. Kam gjetur një ekip të ri, me element të rinj. Objektivi dihet që është për kampion dhe shpresoj të na shkojë mbarë”, tha Telushi.
31-vjecari u shpreh i lumtur për ribashkimin me trajnerin Dritan Mehmeti pas titullit kampion të fituar 3 vite me parë.
‘’Kam punuar më herët me trajnerin, e njohim mirë njëri-tjetrin. Dua ta falënderoj sepse ai besoi tek unë në këtë rikthim. Tek aventura e tij i uroj suksese, të kemi mbarësi në këtë kampionat. Tifozët e Partizanit janë më të mirët në Superligë, më të zjarrtë. Kanë qenë lojtari ynë i 12. Do japim maksimumin në çdo ndeshje për t’ua shpërblyer atyre lodhjen në tribuna”, shtoi ai.
Partizani do të luaj ndeshjen e parë ndaj gjeorgjianëve të Saburtalos. Dueli i parë është programuar në 7 korrik në transfertë ndërsa një javë më vonë, Demat i presin në stadiumin “Elbasan Arena”.