Tirana, Beogradi dhe Shkupi, presion me bojkot samitit të Ballkanit Perëndimor, Rama: Çfarë të bëjmë atje?!

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 14:22

Tirana, Beogradi dhe Shkupi, presion me bojkot samitit të Ballkanit Perëndimor, Rama: Çfarë të bëjmë atje?!

Përditësuar më: 21/6/2022, ora 14:22

Tirana, Beogradi dhe Shkupi po bëjnë presion me bojkot ndaj samitit të Ballkanit Perëndimor, që është parashikuar më 23 qershor në Bruksel.  

Pas presidentit serb ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, duke pasuar deklaratën e Vuçiç, por më i ashpër. Duke pretenduar një refuzim tjetër nga Brukseli, kreu i qeverisë shqiptare pyet në një postim në Twitter se çfarë duhet bërë atje?  

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!

Në samitin e Ballkanit Perëndimor pritet të marrin pjesë krerët e shteteve/qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe zyrtarë të Bashkimit Europian.

Pak më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi përmes një postimi në Twitter se ka biseduar me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të vendosur nëse do të marrin pjesë apo jo, në Samitin e Bashkimit Europian ku do të diskutohet edhe për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.